Aktuale
Kuvendi nesër shqyrton Projektligjin për Kompleksin e Jasharëve

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se nesër do të mbajë seancë plenare.
Ajo do të nisë në orën 10:00, dhe ka hiç më pak se 28 pika në rend dite.
Aty janë dy interpelanca për Haradinajn.
Kuvendi synon që në seancën e radhës të shqyrtojë në lexim të parë Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nëse ky projektligj miratohet në Kuvend, Qeveria do të detyrohet që deri në fund të viti 2021 të ndajë 21 milionë euro për kompleksin “Adem Jashari”, mjete këto që nuk janë paraparë në planifikimet buxhetore të shtetit.
Projektligji me 17 nene pritet që ta zëvendësojë Ligjin e vitit 2004 me 9 nene, nëpërmjet të cilit asokohe u bë shpallja e kompleksit përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë. Me Projektligj përcaktohet statusi i Kompleksit dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij. Në këtë dokument përcaktohet edhe shpronësimi i një sipërfaqeje prej 450 hektarësh. Kompleksi do të jetë zonë e interesit të veçantë
Më 7 maj në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Idriz Blakaj, kishte thënë se vetëm pas miratimit të Ligjit për Komplekset Memoriale do të mund të ndërhyhet në Kullën e Jasharajve.
Kullat e Jasharajve janë pranë rrëzimit, krejt kjo si pasojë e mos-kujdesit të duhur ndaj tyre, nga organet kompetente. E, për mos-ndërhyrjen në këto kulla si arsyetim u dha se duhet të miratohet ligji i ri për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Problemet dhe gjendjen e kullave e ka ngirtur reportazhi i Media Ndërtimi, që më pas ka vazhduar edhe me dokumentarin “Kullat që gjëmojnë për ndihmë”.
