Aktuale
Sindikalistët mirëpresin debatin në Kuvend për sigurinë në punë, por ndjehen të anashkaluar

Në gjendje të rëndë vazhdon të mbetet njëri prej punëtorëve të lënduar në shpërthimin që ndodhi javën e kaluar në Fushë Kosovë. Sipas doktorit Naim Kuçi, trajtimi i tij po bëhet në mjekimin intensiv qendror.
Ky ishte një prej rasteve të shumta të lëndimit të punëtorëve në vendin e punës, fenomen që ka ngritur alarmin për sigurinë, pasi u shënuan edhe një numër rastesh me vdekje të punëtorëve, raporton KTV.
Të mërkurën, u zhvillua edhe debat parlamentar me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me të drejtat e punëtorëve dhe papunësinë në vend.
Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, megjithëse u shpreh i kënaqur që është diskutuar për këto tema, i ka mbetur hatri që nuk është ftuar në kuvend.
Ai është shprehur i dëshpëruar me hapat e ndërmarrë nga ligjvënësit, derisa përmend memorandumin që BSPK-ja ka nënshkruar me PAN-in dhe faktin që asnjëra nga pikat nuk është realizuar.
Kuvendi i Kosovës, një vit më herët, kishte miratuar një rezolutë pak a shumë të ngjashme.
Por, sipas Arbër Rexhajt, rezoluta 6 pikëshe, e propozuar nga partia e tyre, nuk do të mbetet në sirtarë.
Rezoluta parasheh ndryshime në Ligjin e Punës për të garantuar sigurinë në punë, rishikim të vendimit për pagën minimale dhe mes tjerash edhe legjislacion favorizues për punësimin e grave.
Lidhur me këto pika, subjektet parlamentare kanë mbetur t’i harmonizojnë qëndrimet para se të dalin në votim.
