Aktuale
PD: Rama i ka bërë gabim llogaritë për taksë e Rrugës së Kombit

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka reaguar lidhur me vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit.
Ai thotë se po lexon në media që Kryeministri Edi Rama, ka vendosur të provojë edhe një herë taksën e Rrugës së Kombit.
Sipas tij, Kryeministri i pacipë një muaj pasi u tha “më fal” banorëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës po i provokon sërish.
“Nuk mjafton që katër prej tyre i mban padrejtësisht në burg nëpërmjet veglave të tij në gjyqësor por duhet që ti provokojë me rishfaqjen e taksës. Për Ramën nuk ka rëndësi që banorët e këtyre zonave janë më të varfrit e Shqipërisë. Për të ka rendësi të mbushë xhepat me milionat e gjobës korruptive që ka vendosur për këtë akt të paprecedentë antipopullor dhe antikombëtar. I ke bërë gabim llogaritë Edi Rama. Nuk paske vënë mend nga hera e parë”, shprehet Spaho.
Ai thotë se kur njerëzit humbin çdo shpresë, nuk ka forcë dhe arrogancë që ti ndalë. Spaho e sfidon Kryeministrin dike i thënë se “Harroje që kuksianet apo çdo shqiptar të paguajnë taksë për atë rrugë dhe kanë të drejtë të veprojnë kështu. Kij kujdes se këtë radhë do të të vijnë deri në Tiranë. Dhe nuk do të jenë vetëm…”
Ndryshe, tarifa në Rrugën e Kombit për banorët e Kukësit dhe zonave përreth pritet të jetë 100 lekë për një kalim ose 200 lekë vajtje ardhje. Ndonëse fillimisht u përfol se taksa e kalimit për banorët dhe përdoruesit e shpeshtë do të jetë 1.5 euro, qeveria duket se ka vendosur të miratojë një nivel më të ulët duke e bërë pagesën 100 lekë për kalim.
Efekti financiar nga ulja e taksës pritet të jetë i konsiderueshëm, duke ulur me disa milionë euro të ardhurat që mblidhen në stacionin e pagesës. Por këto para nuk do të paguhen nga koncesionari privat. Ato do të kompesohen plotësisht nga qeveria, përmes pagesave nga buxheti i shtetit, ashtu siç parashikohet në kontratën koncesionare.
Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të muajit prill në masën 5 euro për një kalim ose 10 euro vajtje ardhje. Në kontratën e koncesionit parashikohej që për banorët e zonës të kishte lehtësira, por vetëm 6 muaj pas hyrjes në fuqi të taksës derisa të identifikoheshin përdoruesit e shpeshtë. Kjo çoi në zemërimin e qytetarëve të Kukësit, të cilët dy ditë pas vendosjes së taksës protestuan duke djegur pikën e kalimit me pagesë.
Pas protestës qeveria nisi bisedimet si me koncesionarin ashtu edhe me banoret për të gjetur një formulë të re. Top Channel ka mësuar se kjo formulë, e cila parashikon pagesën 100 lekë për banorët e zonës do të paraqitet zyrtarisht javën e ardhshme, ndërkohë që kompania koncesionare po vazhdon punimet për të rindërtuar dhe ndërtuar dhe zgjeruar zonën, ku do rinise te paguhet taksa e kalimit.
