Aktuale
Pejtoni, telashe me planin rregullues

Në Pejton, një lagje kjo në qendër të Prishtinës ka rrugë që ende janë pa kanalizim.
Veç problemit të veturave që bllokojnë rrugët duke parkuar vend e pavend dhe problemit të kanalizimit banorët e kësaj lagjeje kanë edhe një hallë tjetër me komunën.
Komuna nuk iu lejon që në shtëpitë një katëshe të bëhet ndërtim. Arsyetimi i komunarëve ka qenë se nuk lejohen ndërtimet e larta, ani pse atyre iu është premtuar që do të bashkëpunojnë dhe do të bëjnë zgjidhje.
Në Drejtorinë e Planifikimit e pranuan që në Pejton nuk lejohen ndërtimet individuale.
“Nuk e di sa qëndron kjo mirëpo ne kemi lagje ku kanë bërë zgjidhje edhe me hektar. Por këtu qëndron problemi të objektet ilegale që janë të ndërtuara pas luftës dhe kjo e vështirëson realizimin e planit. Mirëpo plani në mënyrë decidive e ka të specifikuar se në çdo bllok e ka që duhet të bëhet trajtimi i komplet bllokut dhe gjitha parcelat duhet të trajtohen”, tha Florim Krasniqi, zyrtar i lartë në Drejtorinë e Planifikimit.
Megjithatë, ka dy mundësi si mund të ndërtohet aty.
“Mundësia e parë është që pronarët që kanë ndërtuar pa leje së pari duhet t’i legalizojnë ato objekte dhe më pas ata mund të deklarohen që nuk dojnë të bëhen pjesë e këtij plani rregullues. Atëherë mbesin ato shtëpi si janë të ndërtuara dhe legalizuar. Dhe mundësia tjetër është se në rast se pronarët e një blloku të caktuar nuk munden me u dakordu për një zgjidhje të përbashkët atëherë e vetmja mundësi mund të jetë Kuvendi Komunal që plani të dërgohet për plotësim dhe ndryshim”, tregoi ai.
Pejtoni është njëra ndër lagjet e para të urbanizuar të Prishtinës. Qysh më 1968.
