Aktuale
Kryeqytetasit ankohen për rrugët e dëmtuara dhe për vonesat në riparimin e tyre

Dëmtimi i shpejtë i rrugëve dhe vonesat në riparimin e tyre, po u shkaktojnë probleme të mëdha qytetarëve.
Ata i thanë Radio Kosovës se dëmet që i pësojnë janë të shumëfishta, nga dëmtimi i veturave e deri te vonesat në punë.
“Po, dëmet janë evidente. Po shkaktohen shumë prishje të veturave, po bëhet dy herë, tri herë e njëjta punë edhe prapë nuk po përfundon. Është më mirë mos të nisin shumë punë, por atë që e nisin ta përfundojnë dhe jo veç të nisin e kurrë mos të përfundojnë. S’e di çka po ndodh! Shumë po krijojnë vonesa, që dy muaj gati kanë filluar të punojnë këtu të Kafet e Vogla, dhe ende se kanë përfunduar”, ka thënë një qytetar.
Eksperti i komunikacionit rrugor, Nol Dedaj, tha se punët në riparimin e rrugëve duhet të zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar dhe në kohën kur ka me pak lëvizje të veturave. Ai thotë se koha më e përshtatshme është gjatë orëve të natës.
“Në rast se ndodhin prishjet, ose duhet të krijohen kushte që ato punë të bëhen gjatë natës ose gjatë kohës kur zvogëlohet qarkullimi i automjeteve. Sepse krijimi i tollovive mund të jetë edhe faktor i rrezikshmërisë për aksidente në komunikacionin rrugor”, tha Dedaj.
Ndërkaq, drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimin e Kontratave në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, në një takim që ka pasur me qytetarë, ku janë duke u zhvilluar punimet, ka kërkuar mirëkuptim nga ana e tyre, dhe ju ka premtuar se punimet do të përfundojnë ashtu siç është e paraparë me kontratë.
E qytetarët kanë kërkuar që sa më shpejt të përfundojnë punimet për arsye se po dëmtohen shumë nga këto vonesa.
“Kërkojmë mirëkuptim, jemi të gatshëm të dalim para tyre sipas kërkesave. Por na duhen edhe disa ditë deri sa të përfundojmë punët. Sipas kontratës, brenda 60 ditëve duhet të përfundojnë punimet. I kuptojmë hallet e tyre. Po shpresojmë që në fillim të muajit qershor të përfundojnë punimet”, ka thënë Mehmeti.
Me problemin e njëjtë qytetarët përballen edhe në komunat e tjera, jo vetëm në kryeqytet. Është evidente se infrastruktura rrugore në Kosovë është përmirësuar shumë në periudhën e pasluftës, ku janë bërë investime të mëdha. Por ka nevojë që në këtë drejtim të punohet më shumë në ngritjen e cilësisë së ndërtimit.
