Aktuale
Vazhdon të mbetet e pezulluar puna në Fabrikën e Riciklimit në Mitrovicë

Akuza dhe kundërakuza ne mes të disa biznesmenëve nga diaspora dhe komunës së Mitrovicës për pezullimin e punës në një fabrike të riciklimit të gomave dhe plastikës në Mitrovicë.
Fabrika në fjalë është shoqëri aksionare dhe në të kanë investuar disa biznesmenë nga diaspora bashkë me disa vendorë.
Baki Baliu, njëri nga aksionaret e kësaj fabrike, që ka marrë një objekt me qira brenda kompleksit “Trepça” tregon se fabrika ende është në fazën e testimit.
“Kam ardhë nga Gjermani me investua bashkë me disa gjermanë, austriakë dhe disa vendorë mirëpo momentalisht nuk jemi duke punuar pasi që na ka ndalë punën Inspektorati i Komunës së Mitrovicës. Ata na kanë thënë se nuk kemi pëlqim mjedisor dhe nuk kemi pëlqim komunal mirëpo ne këto të dyja i kemi dhe ua kam prezantua”, tha Baliu për KALLXO.com.
Në anën tjetër, zyrtarë komunalë të Mitrovicës po thonë së e pezulluan punën në këtë fabrikë për shkak të ndotjes së ambientit që shkaktohej nga ajo. Sokol Kelmendi, inspektor Sanitar dhe Mjedisit, thotë së pronari e di mirë pse i është pezulluar puna.
“Ditën e parë kur e kemi inspektuar këtë fabrikë arsyeja ka qenë se ka pasur ankesa të shumta nga banorët e asaj zone afër ish fabrikës së akumulatorëve të kompleksit Trepça për shkak të erës së rëndë që ka kundërmuar në atë zonë’, theksoi Kelmendi.
Baliu ka shtuar se që nga 15 maji kur inspektorati komunal e mbylli fabrikën, aty nuk ka hyrë më askush që ta mirëmbajë.
“Fabrika është e mbyllur prej datës së 15 maj dhe nuk më jepet qasje as me hy afër asaj ndërmarrje e le më me hy në të brenda dhe kështu qysh është, ka rrezik të ndodhë ndonjë avari pasi që fabrika është pa mbikëqyrje”, shtoi Baliu.
Ndërsa Kelmendi ka shtuar së pronarët e asaj fabrike duhet ta monitorojnë vetë ajrin që janë duke e ndotur.
“Ata duhet të vendosin filtër të monitorojnë ndotjen e ajrit etj, kjo nuk vlen vetëm për këtë fabrikë por për të gjitha që janë të kësaj natyre dhe munden me liru erëra kundërmuese”, theksoi Kelmendi.
Vendimi për pezullimin e testimit në këtë fabrikë do vazhdojë të mbetet në fuqi deri kur zyrtarët komunalë të Mitrovicës dhe ata të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të vendosin ndryshe.
