Aktuale
Shfrytëzuesit e pronave komunale të Istogut nuk paguajnë qira

Në Komunën e Istogut, pronat komunale lëshohen me qira, por shumë prej shfrytëzuesve nuk japin asnjë cent për to. Madje, komuna anashkalon edhe procesin e ankandit publik, e edhe çmimin e qirasë për këto prona nuk e bën në përputhje me Rregullore.
Prej 61 pronave që Komuna ka dhënë me qira për shfrytëzim të përkohshëm, 36 prej shfrytëzuesve nuk kanë paguar fare qira. Por, edhe pse këta shfrytëzues nuk e kanë paguar qiranë, komuna nuk ka ndërmarr asnjë veprim për inkasimin e këtyre mjeteve, shkruan Ndërtimi.Info.
Për më tepër, në 11 raste kontratat për shfrytëzim të pronës nuk ishin valide, pasi që ka skaduar afati i kontratës.
“Vetëm në një rast gjatë vitit 2017 është vazhduar kontrata për shfrytëzimin e pronës duke u thirrur në ligjin e vjetër, i cili ishte shfuqizuar kohë më parë”, është një nga gjetjet që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit për Komunën e Istogut.
Auditori konsideron se dobësitë e identifikuara në menaxhimin me pronat komunale mund të rezultojnë me konkurrencë të limituar apo me më pak të hyra nga kjo kategori dhe trajtim jo të barabartë të palëve me rastin e përcaktimit vullnetar (paushall) të çmimeve.
Gjersa mungesën e kontrollit dhe mos aplikimin e masave adekuate e parasheh si rrezik për arkëtimin e të hyrave nga qiraja dhe që rrit rrezikun e vjetrimit të kërkesave.
“Gjithashtu edhe operimi me kontrata të skaduara privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mos inkasimit të borxhit me kohë”, thuhet në raportin e ZKA-së për këtë komunë.
Zyra e Auditorit rekomandon Kryetarin që të analizoj arsyet për menaxhimin jo të duhur të pronës komunale dhe siguroj se dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme komunale të bëhet vetëm atëherë kur janë plotësuar kërkesat ligjore konform rregullave./Ndërtimi.info
