Connect with us

Aktuale

Serbët në veri vazhdojnë të mbajnë të uzurpuara pronat e shqiptarëve

Published

on

Kthimi i pronave të uzurpuara te pronarët e ligjshëm mbetet një parakusht i domosdoshëm për kthimin e qytetarëve shqiptarë të zhvendosur nga veriu në jug të Mitrovicës. E njëjta vlen edhe për serbët e zhvendosur nga jugu në veri të këtij qyteti, ndonëse sipas shifrave zyrtare, ata janë në numër shumë të vogël.

Më shumë se 400 prona dhe banesa banimi llogaritet se janë të uzurpuara në veri të Mitrovicës. Pronarët e tyre janë kryesisht banorë shqiptarë, të cilët janë detyruar që për afër 20 vjet të jetojnë me qira në jug të këtij qyteti apo edhe në qytete tjera. Ndërkaq, pronat dhe banesat e serbëve në jug të Mitrovicës, sipas autoriteteve lokale të atjeshme janë shitur nga vet pronarët e tyre.

Mitrovica, është një qytet me dy komuna, atë veriore të banuar me shumicë serbe dhe komuna jugore e dominuar nga popullata shqiptare.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës për komunitete, Bashkim Cimili, tha për Radion Evropa e Lirë se uzurpimi i pronave të shqiptarëve në veri të Kosovës nga serbet, vazhdon të jetë një nga problemet kryesore.

Cimili thekson se për kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre, asnjëherë deri më tash nuk është diskutuar në organet komunale të Mitrovicës veriore.

“Nuk kemi të kthyer dhe është njëri ndër problemet kryesore, kthimi i shqiptarëve në pronat e tyre. Mund të themi se të uzurpuara janë më shumë se 400 banesa të cilat ndodhen në objektet kolektive dhe janë diku 250 shtëpi të djegura të cilat ende nuk janë rindërtuar”, tha Cimili.

Nga ana tjetër, Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale të Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se kthimi i banorëve në pronat e tyre në veri të Mitrovicës është një sfidë për komunën dhe për institucionet e tjera në nivelin qendror. Ajo thotë se në këtë drejtim nuk ka pasur nisma të duhura për shkak të ndjeshmërisë politike.

“Edhe në ato pjesë ku njerëzit kanë tentuar që të kthehen, për shembull në lagjen ‘Kroi i Vitakut’, unë e di që njerëzit kanë tentuar që të kthehen, por ky proces është politizuar. Unë e di që diku afër 20 familje janë kthyer në banesat e tyre qendër të Mitrovicës”, tha ajo.

Hoxhiq thotë se autoritetet në nivelin qendror është dashur të merren më shumë dhe më herët me ketë problematikë.

“Komuna si komunë nuk ka edhe aq mundësi që ta ndihmojë këtë proces. Kur bëhet fjalë për pronën e uzurpuar, duhet të inkuadrohet edhe policia edhe i tërë sistemi juridik, kështu që me të vërtet për ta gjetur një zgjidhje duhet të zhvillohet një strategji në të cilën patjetër duhet të kyçet edhe niveli qendror”, tha Hoxhiq.

Ajo deklaroi se është e pakuptimtë që sot, pas kaq kohësh që kur ka mbaruar lufta, mbetet e pamundur për njerëzit, si në veri apo në jug që të kthehen në pronat e tyre.

“Unë nuk po e shoh që ekziston vullneti politik, kjo është e para, kurse së dyti, unë e di që institucionet kanë prioritete tjera, por askush nuk po merret me kualitetin jetësor të qytetarëve”, u shpreh Hoxhiq.

Zëvendësministri për Komunitet dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Milazim Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se në veri të Kosovës, ka raste konkrete të kthimit të banorëve ku pronat e tyre kanë qenë të uzurpuar për shumë vjet.

“Situata dhe politika serbe ka ndryshuar në Kosovë, Lista Serbe e ka një domen të vetin dhe faktikisht ka një kryesues që sipas tij janë për zgjidhje. Na duhet edhe pak kohë. Sa i përket pjesës sonë jugore dhe komplet nëpër Kosovë, më nuk ka temë që serbët janë të rrezikuar që të kthehen në pronat e veta. Do të thotë janë të lirë dhe mund të kthehen”, tha Gashi.

Ai tha se në pjesën veriore duhet të ndryshojë edhe mentaliteti i banorëve që serbët ta kuptojnë realitetin.

Në Agjencinë Kosovare të Pronave zyrtarët kanë thënë se kanë shumë kërkesa për largimin e familjeve dhe personave që kanë uzurpuar banesat dhe pronat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending