Aktuale
Sali Shoshi tregon pse rruga Deçan-Plavë duhet ndërtuar dhe s’shkel ligj

Drejtori i CHwB-së (Trashëgimia Kulturore pa Kufinj), Sali Shoshi, ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook, duke treguar se si nuk shkelet Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura me ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.
Rruga që shkon thellë drejt bjeshkëve të Deçanit e del në Plavë të Malit të Zi, u kundërshtua nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe, pasi sipas tyre, rrezikon Manastirin.
Ky është reagimi i Sali Shoshit:
Asfaltimi i rrugës ekzistuese nga Deçani për në bjeshkë duhet të lejohet. Këtu nuk po flasim për ndonjë ndërtim të ri (që do të binte në kundershtim me nenin 5 dhe 6 të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura) por për një rruge ekzistuese e cila duhet të riparohet për nevojat e komunitetit. Neni 3 i Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura e nenvizon qëllimi e ligjit “për kushtet më të mira të mundshme për zhvillimin e harmonizuar dhe të qëndrueshëm të komuniteteve që banojnë në zonat rreth këtyre vendeve duke rregulluar zhvillimin dhe aktivitetet e tjera”. Pra vet ligji vendos raporte të harmonizuara në mes komuniteteve dhe këtyre zonave.
Rruga e asfaltuar është nevojë elementare e komuniteteve që jetojnë ne afërsi. Shumica e fshatrave të Deçanit, bjeshkët e tyre i kanë në Grykën e Deçanit, dhe kjo rrugë është arteria e vetme për t’u lidhur me këto bjeshkë. Rruga duhet të mbetet në kategorinë ekzistues pra të mos këtë zgjerime dhe dëmtim të mjedisit.
Palët e përfshira çështje e rrugës duhet ta adresojnë në Këshillin për Monitorim dhe Zbatim, që udheheqet nga Minstria e Planfikimit Hapsinor, i cili e ka për mandat “ ndërmjetësimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Kishës Ortodokse Serbë dhe autoriteteve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës për sa i përket implementimit të dispozitave të këtij ligji…”./ndertimi.info/
