Prokurim Publik
Komuna që pranon faturat para se të bëjë urdhërblerjen

Në Komunën e Vushtrrisë ende pa u bërë kërkesa për blerje e zotimi i mjeteve, pranohen faturat. Por, kjo nuk është mangësia e vetme në procesimin e pagesave në këtë komunë.
Aty edhe pagesat për furnzime nuk paguhen sipas rregullës financiare.
Në procesimin e tri pagesave në vlerë prej 154,907€, fillimisht ishin pranuar faturat, ndërkaq më vonë ishte bërë zotimi i mjeteve, kërkesa për shërbime dhe urdhërblerja.
“Pagesa për “Furnizimin e pajisje mjekësore” në vlerë 36,473€, nuk ishte paguar sipas afatit të paraparë brenda 30 ditëve siç parashihet me rregullën financiare.”
Kështu thuhet në një nga gjetjet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Vushtrrisë, shkruan Ndërtimi.info.
Auditori konsideron se mosndjekja e procedurave të duhura të kontrollit, mund të rezultojë me pagesa potencialisht të parregullta dhe humbje financiare, ndërsa nga mospagesa e faturave sipas afatit të përcaktuar parasheh rrezik financiar për komunën.
Zyra e Auditorit i rekomandon Kryetarit të kësaj komune që të forcojë kontrollet e brendshme në procesin e ekzekutimit të pagesave.
“Procesi i pagesave duhet të bëhet në pajtim të plotë me hapat e përcaktuar me LMFPP-në, dhe me rregullat e Thesarit. Po ashtu duhet të rishikoj në mënyrë sistematike, arsyen e mos pagesës së faturave në baza mujore për t’i eliminuar të gjitha obligimet brenda afatit ligjor”, thuhet në raportin e Auditorit./Ndërtimi.info
