Aktuale
Haxhiu flet për Komplekset Memoriale, gjendja e rëndë mbetet shqetësim për familjarët

Teuta Haxhiu deputete e AAK-së, njëherësh anëtare nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, ka folur për gjendjen e memorialëve dhe menaxhimin e fondeve dhe mirëmbajtjen e tyre.
Ajo në Express Intervistën në KTV, ka thënë se gjatë bisedimeve me familjarë, në Kompleksin Memorial në Mejë, ata janë ankuar në cilësinë e punimeve. Haxhiu tha se ka neglizhenca dhe nuk kanë përfunduar punimet që duhej të përfundonin deri tani.
Haxhiu tha se nuk e di saktë sa para janë shpenzuar deri tani, por ka treguar se 400 mijë euro janë shuma të cilat s’janë shpenzuar. Madje kërkon që punimet të përfundojnë sa më shpejtë.
“Sinqerisht, nëse tentohet të keqpërdoret diçka është shumë e dhimbshme, ky memorial duhet të përfundojë”, tha Haxhiu.
Sipas saj, ankesa më e madhe e familjarëve është shqetësimi është për shkak të cilësisë. Ndërkaq, kanë kaluar 1 vjet dhe punimet po shkojnë ngadalë.
“Dëshira ime është të përfundojë ky kompleks, të mendojmë për familjarët që u lanë pas. Duhet të mendojmë edhe për fëmijët e tyre”, tha Haxhiu.
Edhe një herë ka përmendur faktin se janë vetëm 12 persona që punojnë në komplekse, 3 në Prekaz e 9 në Prishtinë, ani pse Agjencia për Komplekset Memoriale parasheh t’i ketë 52 punëtorë.
Për sa i përket të gjitha Komplekseve Memoriale, Haxhiu gjithashtu tha se kompleksi Adem Jashari është në gjendjen më të keqe në Kosovë, e më pas Meja, e e quajti të dhimbshme këtë fakt, por tha se do të punohet në këtë rast më shumë.
Pas kësaj, Teuta Haxhiu ka folur edhe për kërkesat e vazhdueshme të opozitës për të shkuar në zgjedhje të reja. Megjithatë, i quajti kërkesa jo të sinqerta. “Është e drejtë elementare e opozitës të kërkojë zgjedhje të reja”.
“Partitë opozitare nuk janë të sinqertë. I kanë arsyet e vete”, tha ajo.
Foli për LDK-në e VV-në, e për këtë të fundit, e përmendi ndarjen e tyre dhe tha se “kjo që i ndodhi VV-së s’i ka ndodhur asnjë subjekti tjetër. “Ndarja e VV-së tregon se kërkesat e tyre s’janë të sinqerta”.
“LDK-ja është mësuar të rrëzohet”, tha ajo tutje.
“Po të ishte e sinqertë kërkesa e tyre, për rrëzimin e Qeverisë, ajo do të bëhej. Kjo Qeveri po punon 100 për qind në interes të vendit”, tha ajo.
Haxhiu tha se ka shumë tema që opozita duhet të thirret në interes nacional, “zgjedhjet, a janë zgjidhje? Edhe ne edhe ata e dimë që jo”.
