Aktuale
Më në fund fillon puna te rruga e dëmtuar në Veternik

Pas pesë muajve që kur kishte rrëshqitur muri anësor në rrugën Veternik-Prishtinë, kanë filluar punimet për sanimin e dëmit e më pas për të vazhduar me zgjerimin e rrugës.
Pas largimit të pjesës së dëmtuar dhe pas shpimeve kontrolluese do të dihen të metat e projektit që çuan deri në rrëshqitjen e dheut në atë pjesë.
Këshilltari politik në Ministrinë e Infrastrukturës, Fatos Mani ka treguar për Ndërtimi.info se ministria ka caktuar një mbikëqyrës i cili në bashkëpunim me inxhinierët e kompanisë do të shohë se ku duhet të bëhet përmirësimet për të vazhduar me pas me punimet.
“Tash ajo temë është në dorën e ekspertizës. Ministria e ka caktuar një mbikëqyrës profesionistë që është Isa Berisha i cili në bashkëpunim me inxhinierët e kompanisë ka me pa se çka ka shkuar keq që duhet me u përmirësu dhe me vazhdu punimet. Për momentin aty është duke u larguar pjesa e dëmtuar e rrugës. Largohen, bëhen shpimet kontrolluese profesionale, shikohet a ka pas ndonjë të metë projekti. Shikohet çka është punuar keq, e përmirëson kompania, natyrisht pa kompensim dhe më pas vazhdohet me punë”, tha Mani.
Sa i përket raportit të komisionit të Ministrisë së Infrastrukturës, që gjeti se fajtore për rrëshqitjen e dheut në këtë rrugë është kompania punëkryese, Mani nuk deshti të flas për të me arsyetimin se me të po merren ekspertët e autorizuar nga ministria.
Por, ai potencoi se punimet do të kryen si është më së miri dhe se shteti nuk do të paguaj asnjë cent më shumë.
“Më vjen keq nuk dua të lëshohem në atë çështje, sepse ai raport është i madh e shumë voluminoz. Po trajtohet prej ekspertëve tanë që janë të autorizuar me u marr me të. E mira e gjithë kësaj pune është që shteti nuk do të paguajë asnjë centë më shumë edhe punimet kanë me u krye mirë. Sepse ne atë projekt e kemi gjetur në zbatim e sipër. Por ajo që mund të them, që është kryefjala është se rruga ka me u bë mirë dhe Ministria nuk ka me pagu asnjë centë me shumë”, sqaroi ai.
E gjithë dinamika e punëve në atë zonë, kostoja dhe kur do të jetë krejtësisht e përfunduar rruga do të bëhet e ditur tek pas ekspertizës që do të bëhet në atë rrugë..
“Tash varet çka del, çka ka nevojë me u shtu nëse ka nevojë me u shtu diçka. Tek pasi që të largohet ajo pjesë që ka rrëshqit dhe të bëhen shpimet gjeomekanike atëherë mundemi me ditë saktë edhe për dinamikën e punimeve, edhe për koston që ka me u bë edhe sa kohë kanë me u lëshu”, shpjegoi Mani.
Rrëshqitja e dheut dhe murit anësor në rrugën Veternik-Prishtinë ndodhi me 1 dhjetori të vitit të kaluar pas reshjeve të shiut, duke shkaktuar kështu edhe dëme në bodrumet e banesave që gjenden andej pari.
