Aktuale
Kriteret që duhet të plotësojnë bizneset për shfrytëzimin e hapësirave publike në Prishtinë

Bizneset në Prishtinë që duan të shfrytëzojnë hapësirat publike për lokale afariste gjatë sezonit të verës duhet të aplikojnë për leje. Afati për të aplikuar për leje do të jetë deri më 1 qershor, kështu ka njoftuar Drejtoria për Shërbime Publike, Mbroje dhe Shpëtim, përcjellë Ndërtimi.info
Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, i njofton të gjithë të interesuarit se afati për të aplikuar për shfrytëzim të hapësirës publike nga lokalet afariste (sezoni veror) është deri më 1 qershor 2018.
Sipas njoftimit është bërë e ditur se bizneset që shfrytëzuan hapësirat publike të cilët nuk kanë paguar shfrytëzimin e hapësirave gjatë sezonës së dimrit nuk mund të pajisen me leje shfrytëzimi të hapësirave publike edhe për sezonën e verës.
Më poshtë sjellim njoftimin e plotë të drejtorisë:
Të gjithë të interesuarit për aplikim, duhet të kenë me vete dokumentacionin si në vijim:
– Projektin me dimensionet e hapësirës;
– Certifikatën e biznesit;
– Skicën e lokacionit;
– Kopjen e dokumentit të identifikimit.
Shfrytëzuesit e hapësirës publike gjatë sezonit dimëror, nuk mund të pajisen me leje për shfrytëzim gjatë sezonit veror, pa e paguar tarifën për sezonin paraprak. Të gjitha lejet që do të jepen nga Komuna e Prishtinës, do të jenë në përputhje me rregulloret komunale, si për shfrytëzim gjatë sezonit veror, ashtu edhe gjatë sezonit dimëror.
Vërejtje: Kufijtë e hapësirës publike për të cilën kanë të drejtë të aplikojnë për shfrytëzim pronarët e lokaleve, nuk mund të jenë më të gjerë sesa muret ekzistuese të lokalit. Secili aplikues, duhet që në aplikim ta definojë shtegun e lirë për këmbësorë, me gjerësi 1.5 metra. Po ashtu, hyrjet e ndërtesave duhet të mbeten të lira.
