Aktuale
Serbia vazhdon ndërtimin e vendbanimit ‘Lugina e Diellit’

Zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev, ka thënë se Serbia ka vazhduar ta financojë ndërtimin e vendbanimit për 300 familje serbe të Serbisë në Zveçan, ndonëse ndërtimi është ndaluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Ka vazhduar me intensitet të shtuar ndërtimi i vendbanimit për 300 familje serbe të zhvendosura në Serbi në Zveçan, ndonëse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka ndaluar ndërtimin për shkak se Komuna e Zveçanit nuk ka paraqitur asnjë nga dokumentet e kërkuara.
Këtë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, duke raportuar për investimet që Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i ka bërë në Kosovë. Kozarev ka thënë gjithashtu se Serbia ka arritur t’i ruajë institucionet e veta në Kosovë dhe ato funksionojnë pa pengesa, shkruan më tutje “Zëri”.
Ai në veçanti ka folur për kthimin e serbëve në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit, ku është duke u ndërtuar, siç ka thënë ai, vendbanimi më i madh për shumë familje serbe të zhvendosura në Serbi, të cilat do të kthehen në Kosovë.
“E arritura më e madhe është se kemi arritur t’i ruajnë institucionet serbe edhe pavarësisht presioneve të mëdha. E arritur tjetër e madhe është ndërtimi i vendbanimit “Suncana Dolina” (“Lugina e Diellit”) në Zveçan, ku do të ndërtohen 300 shtëpi për 1500 serbë nga Serbia Qendrore, që do të kthehen aty për të jetuar. Ne kemi investuar mjete të mëdha për këtë vendbanim, ndërsa punët janë në përfundim e sipër. Punët nuk janë ndërprerë kurrë dhe se është punuar vazhdimisht. Gjithashtu i kemi ndihmuar 500 familje serbe me mekanizëm bujqësor, kemi ndërtuar dhjetëra objekte të kishave, kemi punuar në mbrojtjen e të drejtave të pronës dhe të drejtat e serbëve, që kanë qenë shënjestër e proceseve politike”, ka thënë Kozarev.
