Aktuale
Rruga për Shkup pritet të hapet më së largu në fillim të qershorit

Rruga Kaçanik–Hani i Elezit vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe gurëve nga pjesët malore.
Kjo po u shkakton vështirësi të shumta qytetarëve të shfrytëzojnë këtë rrugë. Disa nga të intervistuarit thanë për Radio Kosovën se ajo që u pengon më së shumti është se nuk janë në dijeni se kur do të hapet për qarkullim kjo rrugë.
Ndërkaq, Zyra për Informim e Ministrisë së Infrastrukturës në një përgjigje elektronike i ka thënë Radio Kosovës se ky segment rrugor pritet të hapet në fund të këtij muaji, apo më se largu në fillim të qershorit.
Magjistralja Kaçanik – Hani i Elezit ende vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve. Disa nga të intervistuarit, të cilët shfrytëzojnë këtë rrugë thonë se mbyllja e këtij segmenti ua ka vështirësuar shumë punët që ata duhet të kryejnë. Ryfat Meliqi vozitës kamioni shprehet se mbyllja e kësaj pjese po u shkakton shumë probleme, meqë, sipas tij, rruga alternative që po shfrytëzojnë është mjaft e papërshtatshme, në veçanti për kamionë.
“Ka Glloboqica, tmerr është kjo, tmerr!. Me 40 ton a dilet fshatrave? Çfarë rreziku, rrezik i madh. Të paktën ta dimë kur hapet, kështu ta dimë që një muaj të mos punojmë fare edhe kaq”, tha Meliqi.
Edhe Vaid Tusha nga fshati Bllacë dhe Besnik Meliqi nga Hani i Elezit thonë se mbyllja e rrugës Kaçanik – Hani i Elezit po ua vështirëson punën, madje edhe jetën.
”Na pengon shumë moj motër, se na gjithë familjen e kemi në këtë anë. Neve na duhet me dalë çdo orë apo çdo 15 minuta te familja”, tha Tusha.
Ndërsa, Besnik Meliqi tha se ka probleme me qarkullim, ndonëse ende nuk dihet kur hapet rruga.
Megjithatë Ministria e Infrastrukturës, përkatësisht Zyra për Komunikim përmes një përgjigje elektronike ka thënë për Radio Kosovën se punimet janë duke u zhvilluar me një dinamikë të përshpejtuar, në mënyrë që të sanohet problemi dhe rruga Kaçanik – Hani i Elezit të lëshohet për qarkullim. Në këtë përgjigjeje thuhet se në fund të këtij muaji apo më së largu në fillim të muajit qershor kjo rrugë do të hapet për qarkullim.
Ne besojmë që sipas kësaj dinamike, nëse nuk do të shfaqet ndonjë anomali natyrore dhe nëse koha do të mbretërojë e qëndrueshme, deri ka fundi i këtij muaj, apo fillimi i qershorit do të jetë e kalueshme rruga N2, segmenti Kaçanik – Hani i Elezit, i cili pa dëshirën tonë, por me motivin që të ruajmë jetën e qytetarëve dhe atyre që qarkullojnë në këtë aks rrugor, na është dashur të marrim vendim për ndalim të qarkullimit, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ndryshe rruga N2, segmenti Kaçanik – Hani i Elezit është ndërprerë për trafik më 8 maj.
