Aktuale
Qeveria shqyrton lidhjen e Vitisë me autostradën Prishtinë-Hani i Elezit

Qeveria e Kosovës duhet ta shqyrtojë mundësinë që Komuna e Vitisë të ketë qasje në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit në pikën më të afërt, e cila ndodhet në fshatin Gërlicë.
Një kërkesë të tillë, të hënën në mbledhjen e Qeverisë e ka parashtruar ministri i Tregtisë Bajram Hasani. Ai ka thënë se po i përcjellë shqetësimet e banorëve të Vitisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ngase jemi te rruga Prishtinë-Hani i Elezit unë kam një shqetësim të qytetarëve të Vitisë dhe për shkak se është e pajustifikueshme që autostrada të mos ketë qasje për qytetin e Vitisë. I duhet qytetarëve në rast se kjo jetë e mbyllur 5 kilometra të bëjnë rrugë në drejtim të Shkupit dhe 5 kilometra të kthehen pra 10 kilometra që është një dëm i madh. Ne kemi biseduar me Ministrin Lekaj dhe ka gjetur mirëkuptim për shkak se ka qenë edhe një vendim të Komisionit Ndërministror për këtë rrugë të ketë qasje kjo rrugë për qytetarët e Vitisë. Besoj se Ministri dhe njësia implementuese duhet të zbatojnë këtë vendim sepse më të vërtetë është e pajustifikueshme me mbet një qytet i tërë pa dalje dhe pa kyçje në autostradë”, ka thënë Hasani.
Kurse Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ai e mirëkupton kërkesën e banorëve të Komunës së Vitisë dhe se shqetësimet e tyre do të adresohen për zgjidhje. “Kjo kërkesë e qytetarëve të komunës së Vitisë është në shqyrtim sepse e kemi rastin që ta marrim më herët. Megjithatë si temë duhet të ketë kujdesin për shkak se është temë serioze. Në raste të caktuara është lehtësim i jetës në raste të caktuara është domosdoshmëri sepse është distancë e gjatë”, ka thënë Haradinaj
