Featured
Italia do të ndërtojë autostrada inteligjente

Makinat autonome dhe dronët po e transformojnë botën në të cilën jetojmë dhe projektuesit po i shfrytëzojnë këto teknologji të reja për ta bërë transportin më të sigurt, më të shpejtë dhe më efikas.
Firma italiane “Carlo Ratti Associati” u bashkua me agjencinë ANAS për të hartuar një autostradë të re inteligjente, ku dronët dërgojnë ndihmën e parë dhe paralajmërojnë për kushtet e rrezikshme të rrugës përpara. Programi Smart Highway mund të zbatohet në më shumë se 2.500 kilometra rrugë dhe autostrada në Itali.
Sistemi i infrastrukturës përfshin një seri “polesh fluturuese” të pajisura me sensorë të shumtë dhe lidhje Wi-Fi. Në majë të secilit pol ka një stacion rimbushje nga i cili mund të ngrihen dronët dhe të fillojnë monitorimin e rrugës. Dronët mund të shërbejnë për disa qëllime: nga mirëmbajtja deri te dërgimi i pajisjeve të ndihmës së parë, zbulimi i aksidenteve, zjarreve dhe përmbytjeve.
Të dhënat e mbledhura nga polet mund t’i informojnë shoferët në kohë reale për kushtet e rrugës përpara. Mesazhet e drejtpërdrejta dhe të personalizuara mund të dërgohen në telefonin celular të çdo shoferi ose në sistemin e navigimit të çdo automjeti, i cili mund të japë reagime në sistem.
“Me këtë projekt synojmë të mbivendosim një shtresë dixhitale mbi infrastrukturën ekzistuese fizike të rrjetit tonë rrugor, për të mbledhur të dhëna më të mira për autostradat tona”, tha Carlo Ratti, themelues në CRA dhe profesor i praktikës së teknologjive urbane në Massachusetts Instituti i Teknologjisë (MIT).
