Aktuale
Borxhi publik arrin në 1 miliard e 30 milionë euro

Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave (MF), shihet se në fund të muajit mars të këtij viti borxhi publik ka arritur në 1 miliard e 30 milionë euro e derisa në fund të vitit që lamë pas shuma e borxhit publik kishte arritur në 996 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Hiç më pak se 1 miliard e 30 milionë euro ka arritur shuma e borxhit publik në fund të muajit mars të këtij viti, ku shihet një rritje e konsiderueshme në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në raportin e fundit të Ministrisë së Financave (MF) thuhet se nga kjo shumë 415.98 milionë euro janë borxh ndërkombëtar, derisa shuma tjetër prej 612.49 milionë eurosh është borxh i brendshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, shihet se në fund të muajit mars të këtij viti borxhi i Kosovës ndaj Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka arritur në 152 milionë euro. Por BERZH-i nuk është institucioni i vetëm ndaj të cilit Kosova ka obligime financiare.
41 milionë euro është borxhi që Kosova ia ka Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim (ANZH), 159 milionë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), 54 milionë euro Agjencisë Gjermane për Rindërtim (KFW), si dhe 7 milionë euro “UniCredit Bank” të Austrisë dhe shumë simbolike të borxheve Bankës Islame për Zhvillim (BIZH).
Por, borxhi publik i Kosovës vetëm se po shënon rritje nga viti në vit. Në vitin 2016 borxhi publik shtetëror kishte arritur në 852.7 milionë euro. Ndërsa deri në muajin shtator të vitit 2017 borxhi kapte shifrën e një miliard eurove.
