Aktuale
Rruga “Sheshi i Arbrit” në kryeqytet e deformuar dhe e mbushur me gropa

Banorët e “Sheshit të Arbrit” në kryeqytet kanë shumë probleme me infrastrukturën e kësaj rruge por edhe një varg kërkesash për tri institucione – Komunën e Prishtinës, Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” dhe INFRAKOS-in.
Vetëm një dekadë më parë ishte shtruar me kubëza, por rruga “Sheshi i Arbrit” është deformuar e mbushur me gropa.
Kjo edhe si pasojë e rrjedhjeve dhe intervenimeve të kohëpaskohshme në rrjetin e ujësjellësit.
Për rregullimin e rrugës që po shkakton probleme, banorët thonë se kanë bërë kërkesa dhe kanë marrë premtime për më shumë se një vit.
Ata kërkojnë edhe shtrimin e rrugës “Mentor Retkoceri”, që kalon përkrah hekurudhës, por që është pronë e INFRAKOS -it.
E po ashtu edhe lidhje me rrugën “27 nëntori.”
Kërkesë kanë bërë edhe për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit.
Kjo e fundit do të shqyrtohet nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
“E kemi sanuar një problem që ka qenë më datë 20.04.2018. Ndërsa për ndërrim të gypave, jemi në hartim e sipër të projekteve për punë tokësore. Do ta shohim arsyeshmërinë e kërkesës së tyre.”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KUR “Prishtina”.
Edhe kërkesa për asfaltimin e rrugës “Sheshi i Arbrit”, sipas komunarëve, mund të jetësohet këtë vit.
Por, gjendja në rrugën tjetër, atë “Mentor Ratkoceri”, nuk do të ndryshojë pa pasur marrëveshje me INFRAKOS-in.
Në Infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje lidhur me kërkesën e banorëve e as bisedimet eventuale me Komunën e Prishtinës.
