Aktuale
Podujevë, tema e spitalit kthehet në Kuvend

Tash e një vit ky objekt qëndron i ri por i pashfrytëzuar.
Lëvizja Vetëvendosje e riktheu çështjen e spitalit, si temë në Kuvend, në seancën e mbajtur këtë javë.
Kjo pasi që objekti i nisur në 2011 si Qendër Materniteti kurrë nuk u fut në përdorim.
“Komuna nuk ka pas një plan strategjik afatgjatë për të funksionalizuar këtë spital. Po vërehet se renditja është nisur si repart i Maternitetit, e në 2016-tën është marrë vendimi për të bërë Spitalin e Përgjithshëm”, tha përfaqësuesi i VV.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës Nazmi Elezi thotë se Komuna investoi në ndërtimin e objektit rreth 780 mijë euro. Objekt ky i cili më pas bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë u vendos që të bëhet spital.
“Vendimi është marrë në nëntor të vitit 2016 dhe gjatë vitit 2017 është dashur që të funksionalizohet. Rreth funksionalizimit të Spitalit të Qytetit gjithçka ka kaluar në kompetencën e Ministrisë së Shëndetësisë”, potencoi Elezi.
Por një asamblist i AAK-së i del në krah dikasterit qeveritar.
“në Kuvend Komunal ata e hedhën fajin te Ministria, atëherë nëse është faji të LDK, LDK e ka pas 3 vjet Qeverinë edhe Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë ai.
Edhe Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti përmes një telefonit i ka thënë Klan Kosovës se janë bërë disa takime me qeverisjen lokale e në to sipas tij po bëhen planifikime për numrin e stafit, inventarit e gjëra tjera që kërkojnë kohë deri në hapjen përfundimtare të spitalit.
