Aktuale
Tirana me stacion modern multimodal

Një stacion modern multimodal do të ndërtohet pranë spitalit “Hygeia”, në Tiranë.
“Risia është se bashkë me hekurudhën Durrës-Tiranë dhe degëzimit të Rinasit stacioni multimodal pranë spitalit “Hygeia”, është shumë i rëndësishëm sepse do të shërbejë si një stacion hekurudhor në rang Shqipërie, që do të mbulojë edhe rrugët që dalin në drejtim të Malit të Zi dhe Maqedonisë”, tha sot gjatë prezantimit të projekteve të reja për kryeqytetin, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli.
Ky stacion, tha Shkreli, do të jetë shumë modern, gati si terminal aeroporti, do të jetë edhe si një stacion për autobusët e shumtë që do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë.
Shkreli bëri të ditur gjithashtu se “do të ringrihet një stacion terminal pasagjerësh, ku ka qenë në bulevardin e ri. Kjo kërkon një modifikim të projektit, i cili është marrë në konsideratë ku do të përdoret sistemi ‘light rail’, i cili lejon futjen e trenave në një modul më estetikë, por edhe më të reduktuar në qendër të qytetit, po shikohet mundësia të çohet ‘light rail’ deri në sheshin “Nënë Tereza” duke i qëndruar idesë së planit rregullues, të ashtuquajturit plani francez, që ka qenë një nga planet e realizuar në Shqipërinë e pas luftës”.
“Në këtë pikëpamje mendoj që qendra e metropolit shqiptar, që nuk është më vetëm Tirana, por Durana, pra hapësira Tiranë-Durrës krijon një ndërkëmbim të nyjeve të transportit ajror që është Rinasi, atij detar, që është porti i Durrësit, që është më i madh në rajon dhe atij tokësor të ndarë tokësor autostradal dhe hekurudhor”, theksoi Shkreli.
