Aktuale
Muri mbrojtës në magjistralen Prishtinë – Pejë afër rrëzimit, rrezikohen banorët

Një pjesë e murit mbrojtës në fshatin Balincë përgjatë magjistrales Prishtinë – Pejë, është afër rrëzimit, për shkak të shembjes së dheut.
Banorët e fshatit ndihen të rrezikuar, duke thënë se Ministria e Infrastrukturës nuk po merr masa. Dy muaj më parë, një pjesë e murit veçse ishte rrëzuar, derisa dheu nuk është larguar fare nga kjo zonë, raporton KTV.
Vetëm një shirit i njërës pjesë të rrugës magjistrale Prishtinë – Pejë, në Balincë, ka mbetur për qarkullim.
Kjo për shkak se një segment i murit mbrojtës i ndërtuar bashkë me asfaltimin e kësaj rruge, është shembur nga dheu pas reshjeve të mëdha të borës dy muaj më parë.
Sa herë që banorët kalojnë nëpër këtë rrugë ndihen të frikësuar dhe të rrezikuar nga shembja e dheut. Ankohen se dheu i mëparshëm ende nuk është larguar nga aty.
Më të rrezikuarit janë nxënësit, të cilët për të shkuar në shkollë duhet patjetër të kalojnë nga kjo rrugë dhe rrezikohen nga shpejtësia e madhe veturave.
Shembja e dheut po vazhdon gjatë gjithë kohës, thonë banorët.
Për dikë që e ka të panjohur këtë rrugë është edhe më problem.
Vozitësit e automjeteve ankohen se edhe asfalti, por edhe muret mbrojtëse, janë ndërtuar pa kurrfarë cilësie.
Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës janë në dijeni për rrezikun që u kanoset banorëve, por fajin ia lënë qeverisjes së kaluar.
Zëvendësministri, Rexhep Kadriu, thotë se ende nuk është bërë pranimi teknik i ndërtimit të këtij segmenti dhe se shumë shpejt pritet intervenimi në rindërtimin e murit.
Ky nuk është problemi i vetëm me të cilin janë ballafaquar këta banorë.
Gjatë punimeve në ndërtimin e kësaj magjistrale, muret e shtëpive afër rrugës kanë pësuar qarje të dukshme.
