Aktuale
Punëtorët, të frikësuar t’i mbrojnë të drejtat e tyre

Jo vetëm personat e papunësuar, por edhe ata që punojnë në Kosovë, vazhdojnë të përballen me probleme të shumta. Punëtorët vazhdojnë të ndihen të shpërfillur nga punëdhënësit, qoftë për kushtet e tyre të punës, sigurinë, mosrespektimin e orarit apo edhe për pagesat që pranojnë.
Tranzicioni nga ekonomia e kontrolluar nga sistemi i kaluar monist në ekonomi të tregut, sikurse në shumë vende edhe në Kosovë po përcillet me probleme. Kurse barrën kryesore dhe çmimin e paguajnë punëtorët.
Sektori privat karakterizohet edhe më tutje për mosrespektim të të drejtave të punëtorëve. Ky sektor, ka edhe numrin më të madh të punëtorëve dhe konsiderohet si gjenerator i zhvillimit ekonomik në vend.
Institucionet kompetente për të drejtat e punëtorëve kanë miratuar ligje të favorshme, por të cilat në shumicën e rasteve nuk zbatohen nga ky sektor, i cili edhe më tutje funksionon sipas nevojave dhe rregullave të pronarëve, madje me një numër të madh të punëtorëve pa kontrata të punës.
Me gjithë gjendjen jo të mirë të punëtorëve në sektorin privat, ende mungon një organizim sindikal i cili do t’u dilte sado pak në ndihmë dhe mbrojtje të drejtave të tyre.
Krijimi i sindikatës, sipas disa prej punëtorëve të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, mund të ketë si kundërpërgjigje nga punëdhënësit me largimin e tyre nga vendi i punës. Andaj, edhe nuk ka lëvizje të tilla.
Gona është nga Prishtina dhe aktualisht është e punësuar në një nga qendrat tregtare në kryeqytet. Ajo shkurt tregon se në vendin ku punon, nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, kurse për sindikatë as që flitet.
“Orari i punës është më i gjatë se tetë orë. Pagën nuk e marrim me rregull ose të ndarë në dy pjesë. Kurse për sindikatë as që flitet, për shkak se mund të humbim vendin e punës”, thotë Gona.
Një ndër kompanitë tregtare më të mëdha në Kosovë është “Elkos Group” me mbi 3 mijë punëtorë, por as aty nuk ka sindikatë.
Ramiz Kelmendi pronar i kësaj kompanie, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk e pengon krijimin e sindikatës në mënyrë ligjore, dhe që respekton të drejtat e punëtorëve, por jo sindikatë që dëmton imazhin e kompanisë.
