Aktuale
Shumë vila të bukura në Batllavë, por të gjitha janë pa leje
Të gjitha vilat e bukura janë të rrethuara me mal, ndërsa para tyre shtrihet liqeni me qetësinë e tij.
Por duke mos pasur plan ndërtimi, gjithsecili ka ndërtuar sipas dëshirës, gjë që përballë liqenit ka shndërruar kodrinën në një zonë të egër ndërtimi, raporton KTV.
Megjithëse shumë prej tyre janë ndërtuar shumë vite më parë, asnjëra nuk ka leje ndërtimi.
Ndërtimi nuk po ndalet, pavarësisht se komuna nuk lëshon leje pa miratimin e Ligjit për Legalizim dhe pa u përpiluar hartat zonale.
Për zyrtarët komunalë kjo gjendje është mjaft shqetësuese, derisa mosmiratimi i këtij ligji ua ka vështirësuar atyre punën.
Vetëm në këtë komunë, për legalizimin e objekteve të banimit dhe të tjerave kanë aplikuar mbi 4 mijë persona.
Por ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Legalizim, që pritet të bëhen në Kuvend, e kanë stopuar këtë proces.
Hamdi Jaha, Drejtor i Urbanizmit, thotë se Ministria e Mjedisit është ngutur kur me Ligjin për Legalizim lejoi nisjen e procesit të aplikimit pa u bërë hartat zonale.
Ai thotë se deri në qershorin e vitit të ardhshëm ky proces do të përfundojë dhe më pas ato objekte në Batllavë, që nuk mund të legalizohen, do të rrënohen.
Kohavisioni ka kontaktuar me zyrën për informim të Ministrisë së Mjedisit por nuk ka mundur të marrë ndonjë përgjigje se deri ku kanë shkuar procedurat e ndryshimit të Ligjit për Legalizim.



