Aktuale
Kosova ofron mundësi për biznesmenët arabë, kërkon investim në projektin e Brezovicës

Turizmi, minierat dhe bujqësia janë vetëm disa nga fushat në të cilat, zv. kryeministri Enver Hoxhaj së bashku me klubet e ndryshme të biznesit në Kosovë, po synojnë të tërheqin investimet e huaj, sidomos nga Arabia Saudite.
Investimi i mundshëm në kompleksin turistik “Brezovica” është vetëm një nga projektet që qeveria e Kosovës po synon të arrijë bashkëpunim me biznesmenë nga Arabia Saudite.
Pas Forumit të Biznesit me ndërmarrës arab, zv. kryeministri Hoxhaj tha se janë duke u përpjekur që Kosovën dhe prodhimet e saj ta bëjnë më të hapur ndaj botës dhe investitorëve të huaj.
Sipas tij, plasimi i Kosovës në vendet e tjera të botës do të ndikojë në zhvillimin ekonomik si dhe në rritjen e vendeve të punës.
Për të shikuar mundësitë e investimit në Kosovë, nga Arabia ka ardhur presidenti i kompanisë “Mubadara”, Khalid Abdulrahman AL Othman.
Ai tha se takimi me biznesmenët kosovarë është inkurajues për investim të mundshëm të bizneseve arabe në Kosovë.
Bashkëpunimin e mundshëm mes bizneseve arabe me ato kosovare e mirëpritën biznesmenët pjesëmarrës në këtë forum.
Astrit Shabani nga kompania Plastika tha se investimet e huaja në Kosovë janë të rëndësishme për prodhuesit e për kosovarët në përgjithësi.
Se janë të gatshëm për të bashkëpunuar me investitorët nga Arabia Saudite e tha edhe Shaqir Palushi, nga Kompania Fruteks.
Ai madje takimet e tilla me biznesmenë arabë i vlerësoj si një ndër takimet me të rëndësishme të organizuara ndonjëherë.
