Aktuale
Obiliqi bart 400 mijë euro të vitit 2017, gjysma e tyre do të shpenzohen për projekte kapitale

Komunarët e Obiliqit nuk kanë mundur t’i shpenzonin të gjitha mjetet e arkëtuara nga të hyrat gjatë vitit 2017.
Janë rreth 400 mijë euro që janë bartur në buxhetin e sivjetmë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më shumë se gjysma e tyre do të shpenzohen për projekte kapitale, pastaj për mallra dhe shërbime, paga dhe mëditje dhe në fund për subvencione dhe transfere.
Në tabelën ku janë paraqitur mjetet e bartura shihet se për projekte kapitale do të harxhohen 220,967 euro.
Aty shihet se për blerjen e inventarit janë bartur 10,121 euro, për asfaltimin e rrugëve dhe trotuaret 97,383 euro, për bashkëfinancim 25,886 euro, rregullimi i kanalizimit 26,629 euro, mbjellja e drunjve 20,000 euro, rregullimi i parqeve dhe shesheve 2,967 euro, ndërtimi i objektit ndihmës në QKMF 25,097 euro, pajisje mjekësore për QKMF-në 8,000 euro, renovimi i infrastrukturës shkollore 4,448 euro.
Ndërsa bartja në kategoritë e tjera është 175,42 euro, ku për paga në shëndetësi janë 25,000 euro (shënohet si obligim), për subvencione-Zyra e kryetarit 10,000 euro, subvencione-kultura 11,964 euro, mallra Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë 52,153 euro, mallra Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 10,000 euro, mallra-Zyra e kryetarit 10,000 euro, mallra-arsimi i mesëm 7,000 euro dhe shpenzime komunale 49,524 euro. Total për bartje nga viti 2017 në 2018 janë 396 mijë e 610 euro.
Sipas procesverbalit të mbledhjes kur është bërë bartja e mjeteve thuhet se pas diskutimeve, këshilltarët komunalë me shumicë votash kanë marrë këtë vendim ku lejohet bartja e mjeteve buxhetore prej 396,610.47 euro.
“Paga dhe mëditje 25,000 euro, mallra dhe shërbime 79,153 euro, shpenzime komunale 49,538 euro, subvencione dhe transfere 21,950 euro dhe shpenzime kapitale 220,967 euro”, shkruhet në procesverbalin e mbledhjes ku ka qenë pikë e rendit të ditës bartja e mjeteve.
