Connect with us

Aktuale

Leseniti mbi ndërtesa po e shkakton kancerin, institucionet s’veprojnë

Published

on

Përdorimi i lesenitit me përbërës të asbestit është i ndaluar në më shumë se 55 vende të ndryshme të botës.Në mesin e vendeve që e ndaluan përdorimin e këtij materiali janë Serbia, Turqia, Gjermania e Australia. Ndërkohë, në Prishtinë askush as nuk ka diskutuar lidhur me këtë problematikë.

Shpend Selimaj e di se mbulesat e çative që në popull njihen si lesenit kanë material që shkakton kancerin.

Ndonëse është në dijeni për këtë, në oborrin e tij në Prishtinë Selimaj ka dy objekte që janë mbuluar me lesonit. Se ky material që përmban azbest është kancerogjen, e ka thënë edhe Avokati i Popullit Hilmi Jashari.

Por Selimaj, i cili me këtë material e ka mbuluar garazhin dhe një objekt ndihmës thotë se ka menduar qysh moti t’i heq ato nga kulmet por që duhet marrë leje nga komuna dhe se duhet procedura të gjata për ta marr lejen.

“Jemi në dijeni që është kancerogjen, e dimë që është përmbajta e azbestit e cila e bën këtë material kancerogjen, po te ne në Kosovë janë disa probleme të cilat po na pengojnë me i evitu këto. Pata bërë pyetje çka duhet për me ndërru kulmin e një garazhe, m ‘kanë thënë që duhet me bë kërkesë për renovim, kërkesë e cila merr kohë me u aprovua ose jo, ka ngecje. Ky fakt na shqetëson dhe na detyron me punua në mënyrë jolegale. Por në të ardhmen mendojmë me i ndërrua mbulojën e shupës e cila është në plan me u renovu komplet dhe garazhës”, tha Selimaj për KosovaPress.

Në Kosovë nuk ka statistika se sa shtëpi janë të mbuluara me këtë material që përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve, por Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë ka ende shumë çati të shtëpive, garazheve e anekseve tjera të mbuluara me lesonit, që sipas tij përdorimi i tyre është praktikuar në masë të madhe për arsye që ka pasur një kosto të lirë për ndërtim.

Jashari bëri të ditur se Gjykata Evropiane ka marrë vendim që përdorimi i materialit lesonit shkakton kancer në organin e frymëmarrjes, ku shumë shtete evropiane kanë marrë masa që para 20 vjetëve për ndalimin e atij materiali.

Madje, ai ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar për rrezikshmërinë që ka paraqitur në shëndetin e tyre.

“Nga shumë vende evropiane, mirëpo edhe mbi bazën e vendimit të Gjykatës Evropiane ky material tashmë është i ditur që është kancerogjen dhe shkakton kancer në organin e frymëmarrjes dhe shumë shtete kanë marrë masa preventive më tepër se 20 vite tanimë, ka programe të veçanta për largimin e këtij materiali nga përdorimi i gjerë, mirëpo është e çuditshme që në Kosovë vazhdon ende të jetë ai i pranishëm në mënyrë masive , por mbi të gjitha kemi vlerësuar se qytetarët që nuk kanë informata adekuate mbi rrezikshmërinë që paraqet ky material në nivel vendi”, tha Jashari.

Avokati i Popullit ka thënë se ende nuk kanë bërë hulumtime të asaj natyre se sa mund të jetë ndikimi i qytetarëve për largimin e përdorimit të lesonitit.

Madje, ai thotë se materiali duhet të largohet dhe të futet së paku 10 metra thellësi nën tokë dhe të kenë mbështjellës adekuat me standarde për ndalimin e efektit kancerogjen ndaj njerëzve.

“Nuk ka hulumtime të natyrës së përafërt të e cila mundet me sqaru se çfarë mund të jetë ndikimi se sa mund të jenë në dijeni qytetarët dhe cilat janë masat e evitimit gjatë përdorimit të këtij materiali ose largimit të tij dhe kjo na ka brengosur shumë se bëhet fjalë për një material kancerogjen dhe kjo na ka detyruar ta nisemi këtë hetim, mirëpo është evidente që në çdo kënd të Kosovës, thuajse mund të shihen këto materiale që përdorën për mbulimin e pullazeve ose të anekseve të shtëpive ose garazheve. Praktikë e vendeve të tjera thonë se këto materiale duhen të largohen me një procedurë të veçantë me mbrojtje adekuate të punonjësve që vijnë në kontakt me këtë material dhe mbi gjitha duhet të vendosen në vende minimumi 10 metra thellësi të mbuluara nga dheu, të mbyllura me mbështjellës adekuat të standardit të caktuar dhe për të shënuara me sistemin GPS për të evidentu si vend i kontaminuar”, tha Jashari.

Ai bëri të ditur se ka informata që shumë sisteme të ujësjellësit nëpër disa regjione të Kosovës, ende kanë sisteme të ujësjellësit nën këtë material i cili është në përdorim.

Por pavarësisht kësaj në Kosovë ka ende qytetarë që nuk janë në dijeni se lesoniti ka paraqitur kancer në shëndetin e disa prej atyre që kanë pasur kontakt të afërt dhe shprehen të habitur se si ka qenë e mundur që deri në ditët e sotme, të mos informohen nga institucionet përkatëse që janë të rrezikuar nga lesoniti.

Remzi Gashi nga Prishtina nuk ishte në dijeni se ky material është kancerogjen, i cili thotë për KosovaPress se kurrë nuk kishte dëgjuar që mund të vjen kanceri prej tij.

“Jo s’kemi dëgjuar kurrë. Ta kishim ditë , kurrë nuk i kishim vendosë nëpër shtëpia, as nuk i kishim mbulu, as nuk i kishim afru afër tyre”, tha Gashi.

Në lidhje me procedurat që qytetari Shpend Selimaj ka prezantuar në rast se duan ta heqin atë, Drejtoria e Urbanizmit e sqaron këtë situatë. Krenare Shkodra nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë sqaron edhe për procedurat në rast se dikush dëshiron ta heq atë material nga kulmet por që thotë se ata si Drejtori nuk kanë kompetenca t’i heqin ato, qoftë në objekte private apo publike.

“Pronarët e pronave private nuk kanë nevojë të marrin leje apo të aplikojnë për leje në komunë për heqjen e këtij materiali, por paraprakisht duhet ta njoftojnë drejtorinë e inspeksionit që të munden ata që të shohin se gjatë punimeve nuk do të ndërmarrën punime tjera që nuk përkojnë me atë që kërkohet”, tha Shkodra për KosovaPress.

Ajo jep këshilla për qytetarët në rast se duan ta heqin këtë material nga kulmet e shtëpive apo objekteve të ndryshme.

“Megjithatë gjatë ndërrimit të këtyre tjegullave që përmbajnë azbest qytetarët duhet të kenë kujdes për shkak të rrezikshmërisë që përmbajnë fibrat e azbestit, t’i përmbahen në tërësi udhëzimit administrativ për menaxhimin e mbeturinave’, tha Shkodra.

Sipas saj ata duhet të tregojnë lokacionin ku e dërgojnë atë material, t’i pajisin punëtorët me maska, të kujdesen që materiali që transportojnë nuk thyhet dhe disa rregulla tjera.

Megjithatë Shkodra thotë se drejtoria e Urbanizimit nuk është kompetente që të bëjë çfarëdo ndërhyrje në ndërtesat qoftë publike apo private për largimin e këtyre tjegullave sepse nuk ka kompetencë.

Por ajo bëri të ditur se kohët e fundit nuk është duke u përdorur ky lloj materiali pasi që siq tha edhe qytetarët e kanë kuptuar për dëmin që shkaktojnë tjegullat që kanë përmbajte të azbestit.

Zyrtarja e Drejtorisë së Urbanizmit bëri të ditur se nuk kanë statistika për numrin e objekteve në Prishtinë që janë të mbuluara me materialin që përmban azbest e që thuhet se është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending