Connect with us

Aktuale

Ja kur do të filloj ndërtimi i Spitalit në Ferizaj

Published

on

Në muajin maj do të vihet gurëthemeli për fillimin e ndërtimit të spitalit regjional të Ferizajt, projekt ky i cili vetëm për t’u ndërtuar do të kushtojë 10.2 milionë euro, pa përfshirë pajisjen me aparaturën nevojshme.

Fillimit të ndërtimit të spitalit më së shumti po i gëzohen ferizajasit, të cilët shprehen se nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë drejt Prishtinës e vendeve të tjera për të marrë shërbime shëndetësore.

Për qytetarin Elmi Muhedini, ndërtimi i spitalit ka qenë kaherë i nevojshëm, ndërsa thotë se do të jetë një lehtësim për të gjithë banorët e këtij qyteti për të marrë shërbime në vendin e tyre.

“Spitali kaherë ka qenë i nevojshëm në qytet të Ferizajt me thënë të drejtën, se ka nevojë ka edhe raste tash me shkua në Prishtinë nuk ia vlen për shembull kur na si komunë edhe jemi rritur goxha shumë. Komuna e Ferizajt ka një hapësirë shumë të madhe dhe ka numër shumë të madh të qytetarëve dhe ia vlen me pas spitalin këtu e jo me shkua nëpër komuna të tjera. Është shumë i nevojshëm”, është shprehur ai.

Edhe banori tjetër i komunës së Ferizajt, Ramiz Reçica është shprehur se fillimi i ndërtimit të spitalit është dashur të bëhet shumë më herët, transmeton kp.

“Sigurisht që është mirë se qytet i madh është, ka nevojë për spital…Do të bëhet më mirë, sigurisht pse me shkuar në Prishtinë kur mundemi në Ferizaj, ku qyteti i dyti apo i treti në Kosovë me banorë”, tha ai.

Përkundër vërejtjeve që ka për shëndetësinë kosovare, Shaban Neziri banor i Ferizajt, thotë se fillimi i ndërtimit të spitalit është shumë i rëndësishëm, pasi sipas tij, banorët e këtij qyteti kanë pasur nevojë për një spital.

“Qyteti i Ferizajt duke u radhitur brenda Kosovës si qyteti i tretë për nga madhësia, për nga numri i banorëve normal që as nuk diskutohet sa është i rëndësishëm, është i një rëndësie jetike. Bile, bile është dashur kaherë të ndërtohet…Megjithëse kemi shumë vërejtje në shëndetësinë e Kosovës po shpresojmë që një ditë do të vetëdijesohen të gjithë edhe institucionet që ndërtohen për të mirën e qytetarëve të ofrojnë shërbime gjithashtu për të mirën e qytetarëve. Unë shpresoj që deri sa të ndërtohet shpresojmë që edhe shëndetësia në Kosovë në përgjithësi të rregullohet”, është shprehur ai.

Ndonëse e quan lajm të mirë që do të fillojë të ndërtohet, për banoren e Ferizajt, Fitore Sahitin, thotë se spitali do të duhej të ndërtohej tek parku “Liria”.

“Jo në vendin ku është planifikuar, mendoj se është më mirë për të sëmurët ose për ata që i vizitojnë ka natyrë…Është shumë e rëndësishme, sepse më afër shërbimit shëndetësor është më mirë sesa në Prishtinë, pasi që për gjendjen shëndetësore të pacientëve është më larg Prishtina kështu që më afër është më mirë”, tha ajo.

Fillimin e ndërtimit të spitalit të komunës së Ferizajt lajm të mirë po e quan edhe drejtori ekzekutiv i rrjetit të organizatave AVONET, Kenan Gashi, i cili shpreson që ndërtimi të fillojë sa më shpejt në mënyrë që qytetarët të mund të marrin shërbime shëndetësore.

“Ky projekt tashmë është bërë një histori e veçantë për qytetarët e Ferizajt dhe për qytetarët e regjionit të Ferizajt, sepse dihet se shumë herë kjo ka pas stagnime, është ripërsëritur tenderi dhe për fat të mirë tashmë po fillon një çështje shumë diskutuese në shoqërinë tonë, por ne dhe gjithë qytetarët tashmë e dinë se do të filloj dhe besoj se do të përfundoj sa më shpejt, sepse është e rëndësishme ku i vetmi regjion apo qytet ka mbetur pa një spital”, tha ai.

Për kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ndërtimi i këtij spitali do t’iu ofrojë qytetarëve të kësaj komune shërbime shëndetësore më të mira, po ashtu edhe stafi shëndetësor do të ketë mundësi dhe kapacitete më të mira për të ofruar shërbime cilësore.

Aliu është shprehur se me ndërtimin e këtij spitali përveç banorëve të Ferizajt, do të përfitojnë edhe banorët e komunave fqinje.

“Janë shumë reparte, praktikisht pothuajse të gjitha repartet që janë të zakonshme për një spital edhe spitali regjional do t’i ketë pikërisht të gjitha repartet që janë në kuadër të veprimtarisë kryesore të ofrimit të shërbimeve mjekësore. Duke pasur parasysh edhe faktin tjetër se nuk është spital që do t’i shërbej vetëm qytetit të Ferizajt, por do i shërbej gjithë regjionit të Ferizajt duke përfshirë pra edhe komunat fqinje po edhe komunat fqinje jashtë territorit të Ferizajt. Pasi që, Ferizaj është një qendër e afërt me shumë komuna dhe sigurisht se kjo do të shërbej edhe për komunat e tjera që janë përtej fqinjësisë së regjionit të Ferizajt”, është shprehur kryetari Aliu.

Duke qenë se do të fillojë të ndërtohet brenda muajit që po hyjmë, përfundimi i tij pritet të bëhet brenda dy viteve. Ndërsa, funksionalizimi i plotë i tij, sipas kreut të Ferizajt pritet të bëhet më së largu deri në përfundim të mandatit të tij si kryetar i komunës.

“Unë po besoj se në bazë të planifikimeve dhe dashtë Zoti që të shkoj gjithçka sipas planifikimit do të jetë dy vite ndërtimi i spitalit dhe sigurisht që pastaj do të jetë edhe pajisja me aparaturë dhe pajisje të tjera mjekësore. Po besoj që në vitin e fundit të qeverisjes time, po besoj megjithëse kjo nuk është krejtësisht në kompetencën tonë, është në kompetencën e Ministrisë së Shëndetësisë po unë po besoj që dinamikën që i ka dhënë ministri i MSH, Uran Ismaili do të ketë dinamikë edhe në spitalin e Ferizajt dhe që praktikisht sa më herët që është e mundur të fillojë me shërbime. Kostoja e spitalit në ndërtimin pa aparaturë dhe pajisje të tjera është 10.2 milionë euro dhe tashmë ministria i ka siguruar të gjitha këto mjete dhe sigurisht që do të jenë mjete të mjaftueshme për të parë në Ferizaj një spital modern që në fakt do të jetë një ndër spitalet më të mira në Republikën e Kosovës ”, tha ai.

Spitali regjional i Komunës së Ferizajt do të ndërtohet tek ish-tregu i kafshëve në rrugën “Driton Islami.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending