Aktuale
Ndërtohen 12 shtëpi për komunitetet pakicë në Fushë-Kosovë
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bashkë me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim do të investojnë në ndërtimin e 12 shtëpive për komunitetet pakicë në Komunën e Fushë-Kosovës. Në një njoftim të kësaj të fundit, implementues i këtij projekti do të jetë Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), shkruan sot “Koha Ditore”.
“Është arritur memorandum mirëkuptimi për realizimin e projektit ‘EU kthimi dhe riintegrimi në Kosovë – faza e V-të’ (EU-RRK V) ndërmjet Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK) dhe Komunës së Fushë-Kosovës.
Qëllimi i këtij memorandumi të mirëkuptimit është të vendosë një platformë bashkëpunimi të ngushtë dhe efikase midis Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Komunës së Fushë-Kosovës gjatë implementimit të projektit ‘EU Kthimi dhe Riintegrimi në Kosovë – faza e V-të’, (EU-RRK V ose ‘Projekti’), thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë-Kosovës.
“Projekti financohet bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe MKK-ja dhe implementohet nga IOM-i. Në këtë fazë të realizimit të projektit, Komuna e Fushë-Kosovës do të përfitojë ndërtimin e 12 shtëpive, ndërsa madhësia e shtëpive do të jetë varësisht nga numri i anëtarëve të familjeve përfituese: 45m2, 62m2, 75m2. Implementimi i projektit për Komunën e Fushë-Kosovës është projektuar që të vazhdojë deri në vitin 2021”.




