Connect with us

Aktuale

Sistemi Informativ i Tatimit në Pronë nuk u tregua efektiv

Published

on

Raporti i fundit i auditimit të performancës, i publikuar sot, tregon se sistemi informativ i tatimit në pronë (SITP) nuk është efektiv në mbledhjen e të hyrave.

Sistemi është zhvilluar me ndihmën e Agjencisë Suedeze të Tatimeve dhe financim të Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, por Ministria e Financave ka dështuar në plotësimin e kushteve të dakorduara të marrëveshjes, transmeton Koha.net.

Tatimi në pronë është e hyrë kryesore komunale dhe përbënë rreth 30% të hyrave vetjake. Për mbledhjen sa më efektive të tatimit në pronë është thelbësore që shkëmbimi i informatave, përditësimi i të dhënave, dhe qasja në to të funksionojë përmes një sistemi informativ të tatimit në pronë, të mirë organizuar, i cili do t’i sigurojë qasje të gjithë palëve dhe institucioneve pjesëmarrëse të përfshira në këtë proces. Ky sistem i ofron qytetarëve marrjen e informatave për obligimet e tyre për tatimin në pronë, pavarësisht nga cila komunë kërkohet shërbimi, si dhe i mundëson qasje në formë elektronike përmes e-faturës në bazë të cilës mund të bëhet edhe pagesa e këtij tatimi.

Në mos efektivitetin e këtij sistemi kanë ndikuar mangësitë në qeverisjen dhe menaxhimin e mirëfilltë të teknologjisë informative. Ministria e Financave ka dështuar në hartimin e strategjisë, politikave dhe procedurave të TI-së, duke rrezikuar adresimin e burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së sistemit. Edhe mbarëvajtja e sistemit nuk është duke u realizuar sipas praktikave të mira. Ministria e Financave nuk ka arritur të ofrojë përkrahjen e duhur për shfrytëzuesit. Gjithashtu, nuk është bërë matja efektive e sistemit, duke pamundësuar planifikimin e kapaciteteve të nevojshme për operimin e duhur në të ardhmen.

Të dhënat hyrëse nuk janë të sakta dhe shpeshherë nuk janë të përditësuara. Disa prona nuk janë të regjistruara, disa janë regjistruar shumë herë si dhe cilësia e ndërtimit si bazë për tatim injorohet në disa komuna. Ekziston një zbritje në të gjitha pronat e banimit, ndërsa zbritja duhet të jetë vetëm për banim primar por jo edhe për atë sekondar.

Për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme në sistem, shërbimet e ndryshme si ai i modulit financiar nuk e ka realizuar qëllimin e tij në tërësi. Ky modul është përcjellë me shumë mangësi. Shpesh herë janë paraqitur paqartësi në të dhëna, vonesa në regjistrimin dhe shpërndarjen e pagesave, vështirësi në përpilimin e raporteve e deri te ndërprerja e këtij shërbimi. Kjo ka ndikuar në performancën dhe shfrytëzimin jo efektiv të sistemit nga shfrytëzuesit. Mangësi më të mëdha janë identifikuar në modulin e faljes së borxheve ku ka raste kur tatimpaguesit nuk kanë përfituar nga falja për 0.02€.

Sistemi nuk ofron siguri të mjaftueshme. Të drejtat e tepruara apo qasje të pa autorizuara mund të mos zbulohen, mungesa e gjurmueshmërisë së plotë të veprimeve rrezikon realizimin e paautorizuar të tyre dhe keqpërdorimit të të dhënave. Ndërsa, mungesa e kontrollit të dhënies së privilegjeve në pajisjet e shfrytëzuara për qasje në sistem nga komunat, rrezikon keqpërdorimet në sistem.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ka thënë: “Tatimi në pronë është burimi kryesor i të hyrave për komunat. Vjelja e tyre është thelbësore për qëndrueshmërinë e tyre financiare. Pagesa e tatimit në pronë nga qytetarët është investim në mirëqenien e tyre. Është thelbësore që ne të kemi një sistem të drejtë dhe efektiv, të cilin për momentin nuk e kemi”.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Financave dhe Komunat, përmirësojnë qasjen e tyre në raport me zbatimin dhe mbarëvajtjen e këtij sistemi. Përmirësimi i mangësive të identifikuara, dukshëm mund të ndihmoj në qëndrueshmërinë e sistemit.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending