Featured
Gjithçka rreth ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë

11 vjet pasi ishte bërë përpjekja e parë për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, sot zyrtarisht filluan punimet për realizimin e këtij projekti infrastrukturor.
Zyrtarë të lartë shtetërorë u gjendën në Deçan për të përcjellë nga afër fillimin punimeve të rrugës, e cila përveç lehtësisë për qarkullim Kosovë – Mali i Zi, po konsiderohet mundësi për zhvillimin e pjesës malore të kësaj ane.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për këtë projekt, por sipas ministrit të infrastrukturës, Pal Lekaj ky projekt mund të kap shifrën deri në 12 milionë euro.
Por, gjithçka për këtë rrugë kishte filluar në vitin 2007, kur edhe ishte dhënë tenderi, por projekti ishte penguar nga Manastiri Ortodoks Serb në Deçan, pasi ndërtimi i kësaj rruge prek territorin e tij.
E, 7 vjet më vonë, në vitin 2014 kishte filluar puna rreth ndërtimit të një bajpasi, por që edhe kjo kishte dështuar. Arsyeja që edhe kjo përpjekje kishte shkuar huq ishte procesi i fizibilitetit, shkruan Ndërtimi.info.
Problemin rreth kësaj rruge ditë më parë i kishte përmendur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj , në një ligjëratë para studentëve në Gjakovë.
Ai, të enjten e 19 prillit kishte treguar se ishte planifikuar që punët të fillonin po atë ditë, por që nuk kishte ndodhur, duke u arsyetuar në pengesat që po nxjerr Manastiri.
“Ndërsa tash e kemi të kontraktuar një kompani, ku vlera e projektit është 12 milionë euro. Kemi pasur të fillojmë me datën 24 mars të këtij viti, nuk kemi mundur të fillojmë për shkak të procedurave administrative dhe burokratike që ky institucion i ka për shkak te ankesave të vet manastirit. Sot në orën 10 ka pasur të fillojë prapë kjo rrugë dhe nuk po bëhet e mundshme që të fillohet”, ishte shprehur ai.
Përveç problemeve me Manastirin e Deçanit, zvarritja e ndërtimit të kësaj rruge ka ndodhur edhe për shkak të buxhetit. Në vitin 2014 ishte parashikuar që rruga të kushtojë milionë euro, e që Qeveria e Kosovës nuk kishte mundësi ta mbulonte këtë shumë, ndërsa në për vitin 2017 qeveria kishte ndarë vetëm 300 mijë euro.
Ndërsa, në muajin mars të këtij viti ministri Infrastrukturës, Pal Lekaj ka nënshkruar kontratën, me punëkryesin “Lika Trade”.
Për këtë rrugë kishin konkurruar 9 operatorë ekonomikë, prej të cilëve 6 ishin të përgjegjshëm. Më i liri ishte ky që ka fituar, teksa më i shtrenjti ishte 6.087.370,43 euro.
Ndërkaq, muaj më parë Shoqata e Malazezëve të Kosovës kishte kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe të Malit të Zi që kjo rrugë të mbante emrin e letrarit malazez, Radovan Zogoviq, i cili është i varrosur në varret e Deçanit.
E, në lidhje me çështjen e emrin institucionet e vendit ende nuk kanë vendosur, duke lënë që kjo të ndodhë pas përfundimit të tërësishëm të rrugës, që parashihet të ndodh në vitin 2020./Ndërtimi.info/
