Aktuale
Ahmeti: Sot u vërtetua se kishte rrjet kriminal për ndërtimet pa leje në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar vendimin për dënimin me burgim të 11 ish-zyrtarëve komunalë në Prishtinë.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka shkruar se sot një pjesë e 80 dosjeve gjeti epilogun.
“Ish inspektorët u dënuan me nga dy/tre vite burg që dëshmon se ka ekzistuar rrjet i organizuar kriminel që ka ndihmuar zhvillimin e ndërtimeve pa leje në komunën tonë e që edhe sot ka pasoja të pariparueshme. Nuk mund të flas për lartësinë e dënimeve duke respektuar ndarjen e pushteteve; ato le ti vlerësoj qytetari”, ka shkruar Ahmeti.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës sot i ka shpallur fajtorë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës. Atyre iu shqiptua dënimi me burg e gjobë.
Ndaj Ismet Halitit u shqiptua dënimi me burg prej tre vjet e gjashtë muaj për keqpërdorim detyre, si dhe 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, Skender Canolli u dënua me dy vjet e 6 muaj për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.
Kurse Blerina Syla, Vehbi Avdullahu, Mërgim Shala e Blerim Ibishi gjykata i dënoi me nga dy vjet burg, ndërsa Arbenita Ajeti e Drita Rukiqi me nga 1 vjet e gjashtë muaj.
Gjithashtu, Ismet Halitit e Skender Canollit iu konfiskua nga një veturë, ndërsa Mërgim Shalës një banesë, raporton insajderi.
Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.
Sipas aktakuzës, po ashtu se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.
