Aktuale
Nga zonë problematike në një “mushkri” për Tiranën

Dy vite më parë, në pjesën jugore të Liqenit të Tiranës kishte vetëm baraka dhe plehra, çka ishte kthyer në një problem për banorët e zonës dhe ndotjen e liqenit.
Sot, komuniteti rom që jetonte aty është sistemuar nga Bashkia e Tiranës në banesa komode në Shkozë dhe Lanabregas, kurse hapësira i është rikthyer parkut me më shumë pemë, duke ia shtuar mushkërinë qytetit të Tiranës.
Për mbjelljen e 100 pemëve të reja në këtë zonë ndihmuan edhe kompania “Coca-Cola”, ekipi i futbollit “Partizani” dhe Pastiçeri “Reka”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me këtë ritëm, do të tejkalohet numri 122 mijë pemë i vënë si qëllim për t’u mbjellë deri në datën 22 Prill.
Ai falenderoi ekipin e futbollit të Partizanit që u bë pjesë e revolucionit të gjelbër, duke kontribuar për një mjedis më të pastër. “Kush është sportist i mirë, mbi të gjitha është edhe qytetar i mirë, ndaj ju falenderoj, së pari për qytetarinë dhe siç bëni gola në fushë, keni bërë ‘gola’ sot në fushën e qytetarisë. I falenderoj shumë çunat e ekipit që na dhanë një spektakël në këtë fushë”, tha kryebashkiaku.
Një tjetër partnere e Bashkisë së Tiranës në transformimin e kryeqytetit është edhe kompania “Coca-Cola”, e cila edhe kësaj here tregoi përgjegjësinë e saj sociale, duke dhuruar 60 pemë për Parkun e Liqenit. Pjesë e aksionit për mbjelljen e pemëve u bë edhe Pastiçeri “Reka”, e cila dhuroi 20 pemë.
Presidenti i “Coca-Cola Bottling, Shqipëria”, Luca Busi u shpreh i lumtur që u bë pjesë e aksionit dhe që kompania po kontribuon për t’i dhënë jetë qëndrueshmërisë mjedisore.
Drejtori sportiv i Futboll-Klub “Partizani”, Olsi Rama shprehu kënaqësinë që edhe kjo skuadër u bë pjesë e aksionit të gjelbërimit, ndërsa vlerësoi transformimin që ka pësuar Parku i Liqenit. ” Tirana po bëhet një qytet metropol, një qytet kozmopolit, që po i rrit vlerat edhe përmes punës së madhe të bashkisë”, tha Rama.
