Aktuale
Rrugët kryesore të vendit do jenë brenda të gjitha standardeve

Rrugët kryesore të Shqipërisë: veri – jug, lindje – perëndim do të jenë të kompletuara dhe rrugë të plota me të gjitha standardet, ka deklaruar ministri Damian Gjiknuri, transmeton atsh.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka raportuar sot përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në kuadër të analizës së ministrave për gjashtëmujorin e parë të mandatit të dytë qeverisës,
Infrastruktura rrugore
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, theksoi se brenda mandatit qeverisës do të përfundojnë të gjithë akset kryesore te vendit.
Gjiknuri tha se do përfundojmë të gjitha rrugët e nisura, sepse ajo shprehja “i kemi lënë rrugëve” është e vërtetë. I nisën me 5% të fondit dhe të gjithë faturat, sipas tij, i ka paguar kjo qeveri.
“Do përfundojmë akset Veri-Jug, disa me PPP dhe disa me buxhetin e shtetit. Me buxhetin e shtetit do të përfundojmë pjesën tjetër të unazës, loti 2 dhe 3 nga ana e Dajtit deri te TEG. Nga ana tjetër, do fillojmë unazën nga “Shkolla Industriale” deri te sheshi “Shqiponja”, vazhdim i asaj nga Kopshti Botanik te “Shkolla Industriale” për të dalë në autostradën Tiranë-Durrës”, tha ai.
Më tej, Gjiknuri, tha se do të nisë shumë shpejt gara për aksin Kardhiq-Delvinë dhe kjo është e financuar me buxhetin e shtetit duke i dhënë rëndësi zonës turistike të Sarandës.
“Do të bëjmë bajpasin e Tepelenës duke përfunduar të gjithë aksin nga Levani deri në Kakavijë, duke e kthyer atë brenda standardeve. Do bëjmë investime me mbikalimet e nevojshme në Milot, apo disa mbikalime të tjera të nevojshme”, tha ministri.
Kontrata e “Rrugës së Arbrit” ka hyrë në fuqi, nis puna brenda muajt
Gjithashtu, me PPP do të vazhdojë “Rruga e Arbrit” dhe shumë shpejt kontrata ka hyrë në fuqi, para tre ditësh kompania ka sjellë projektin e zbatimit, i cili do të kalojë hallkën e miratimit nga Instituti i Ndërtimit dhe do të merret leja e nevojshme dhe financimi është siguruar nga kontraktori dhe “Rruga e Arbrit” fillon brenda një muaji, ku do të hapet dhe kantieri.
“Korridori Blu”
Sot, tha Gjiknuri, kemi nisur për shpallje me tender ndërkombëtar të segmentit Kashar-Thumanë, duke bërë kompletimin e pjesë së autostradës që vjen nga Kosova. Projekti tjetër është nga Miloti në Balldre, duke bërë një bajpas në qytetin e Lezhës dhe kjo është pjesë e koridorit Jonian-Adriatik, që quhet “Korridori Blu”.
Më tej ministri tha se “Jemi në procesin e tenderimit të bajpasit të Fierit dhe të Vlorës, ku brenda 24 prillit, do bëhet përzgjedhja e kontraktorit dhe ne synojmë brenda verës të kemi lidhur kontratat. Po ashtu dhe nga ana e Pogradecit, si Qukës – Qafë-Plloçë, një rrugë jo e bërë mirë, që kërkon dhe 50 milionë dollarë të tjerë”.
14 milion dollarë, autostrada Tiranë-Elbasan
Edhe për qytetarët e Elbasanit ka lajm të mirë, tha Gjiknuri, duke vijuar se “dje erdhi financimi shtesë për pjesën e mbetur të autostradës Tiranë-Elbasan, pra janë 14 milionë dollarë të tjerë, të cilat do të hidhen për të përfunduar segmentin e mbetur nga zona e Ibës, te tuneli i Elbasanit dhe jam i bindur se brenda këtij viti do të përfundojë plotësisht”.
Tunel në Llogara
“Dhe së fundmi dhe një projekt tjetër është rruga e zonës së Dukatit që bën lidhjen e Orikumit me Llogaranë, ndërkohë që planet tona për Llogaranë është bërja e një tuneli”.
Rrugë alternative në Rrogozhinë
Gjiknuri theksoi gjithashtu, se jemi duke punuar edhe për segmentin e Rrogozhinës, “për një rrugë alternative për të shmangur Durrësin, pra për një rrugë më të shpejtë për në Jug”, tha Gjiknuri.
