Aktuale
Tirana me tarrraca të gjelbra pranë ndërtesave

Projekti i tarracave të gjelbra në kryeqytet do të shtrihet në ndërtesat publike dhe private, ku Bashkia e Tiranës do të jetë bashkëfinancuese.
Pas projektit të parë të realizuar në tarracën e Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit i është shtuar një tjetër tarracë e gjelbër, ajo e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo ide do të zbatohet edhe në godina të tjera në kryeqytet.
“Shumë prej ndërtesave publike në Tiranë si ministritë, institucione varësie apo drejtori, mund të kenë një mikro-hapësirë, një lulishte në nivelin vertikal. Sot të gjithë po flasim për pyje orbitale dhe pyje vertikale, pra si mund të ndërtojmë një oaz gjelbërimi në tarracën e secilës prej ndërtesave publike”, tha Veliaj.
Për realizimin e këtij projekti që fut edhe një kulturë të re në mënyrën e projektimit të ndërtesave, Bashkia e Tiranës po shqyrton disa propozime.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë eficencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.
“Tarracat janë pjesë e një bashkëpronësie. Koha kur i forti i pallatit që mendon se tarraca është e vetja dhe mund të shpojë një vrimë apo të zaptojë hapësirën, ka marrë fund. Sot ka ardhur koha që administratori, si zëdhënës i atij komuniteti, të vijë në Bashki, jo vetëm të marrë në zotërim tarracën, por edhe të zbatojë projekte të tilla”, tha Veliaj, teksa vlerësoi Fakultetin e Arkitekturës dhe të Urbanistikës që përqafuan këtë nismë.
“Nuk besoj se do kishte një vend më simbolik se sa kjo hapësirë për të vijuar pilotimin tonë me tarracat e gjelbra në Tiranë. Këtu përgatiten arkitektët dhe urbanistët e ardhshëm, ata që kanë detyrë të çojnë qytetin tonë në nivelin tjetër të mirëqenies. Tirana është një qytet që rritet çdo vit me 30 mijë banorë, që çdo vit ka nevojë për 6-7 mijë apartamente, që shtohet numri i makinave. Por, nëse ka vullnet, ka edhe zgjidhje për shumë prej këtyre problematikave”, vijoi kryebashkiaku.
Veliaj tha se rritja është gjithmonë sfidë, por edhe një mundësi zhvillimi, ndërsa u shpreh optimist për realizimin e praktikave të punës nga studentët e këtij fakulteti në Bashkinë e Tiranës.
