Aktuale
Shtyhet shpallja e aktgjykimit për ish-inspektorët e Prishtinës

Sot ishte paraparë të shpallej aktgjykimi për ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës, por kjo nuk ka ndodhur.
Gjyqtari Beqir Kalludra njoftoi në gjykatë se shpallja është shtyrë për nesër.
Fjala përfundimtare e këtij gjykimi u zhvillua më 12 prill kur prokurorja Drita Hajdari kërkoi shpalljen fajtorë dhe dënimin e të akuzuarve, ndërsa avokatët e tyre lirimin e ish-inspektorëve.
Ish-inspektorët e Prishtinës gjatë procesit gjyqësor ishin deklaruar të pafajshëm.
Në këtë proces gjyqësor Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi akuzohen se nuk i kanë parandaluar dhe ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.
Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.
