Aktuale
Cili do të jetë numri i autostradave në Kosovë?

Vit dinamik do të jetë e 2018-ta në ndërtimin e rrugëve.
Të dielën nisën punimet e autostradës në drejtim të Gjilanit por makineri të shumta do të punojnë edhe në shumë rrugë të tjera gjithandej Kosovës.
Javën e ardhshme do të rifillojnë punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Gjithashtu në fund të kësaj jave do të filloj implementimi i punëve në zgjerimin e magjistrales Skenderaj-Drenas.
Por edhe nga fshati Lum i Madh deri në Mitrovicë muajin e ardhshëm do të filloj zgjerimi i rrugës.
Gjithë këto i ka konfirmuar ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj për Klan Kosova i cili ka deklaruar se janë siguruar fondet edhe për magjistralen nga Kijeva e Malishevës deri në Zahaq të Pejës.
“Ne e kemi siguruar buxhetin diku 2030 milionë euro. Mendoj që brenda 2 muajve do të filloj kjo rrugë”, tha ai.
Sipas Lekaj me kaq nuk përfundon investimi në rrugë. Ai tha se deri në fund të vitit 2018-të do të filloj së ndërtuari magjistralja nga Gjakova deri në Dollc të Klinës.
Infrastruktura rrugore sipas tij do të përfundoj me Autostradën e Dukagjinit që do të nis nga Prizreni në Gjakovë e do të vazhdojë në Pejë për të përfunduar në Istog. E ky projekt do të nis së realizuar në fillim të 2019-tës.
Por shtimi i këtyre dy projekteve të fundit sipas Lutfi Zharkut, ish-ministër i këtij dikasteri mund të bëhet barrë e rëndë për buxhetin e Kosovës.
“Nuk mund të ndahen mbi 150 milionë euro në vit për çështje të autostradave. Ju e dini problemet që i kemi pasur me financimin prej Prishtinës në Han të Elezit”, është shprehur Zharku.
E paratë nuk do të jenë problem për ministrin Lekaj.
“Meqë ne e përfundojnë Autostradën “Arbën Xhaferi” në këtë vit që ka pas një kosto shumë të madhe dhe ka marrë shumicën e buxhetit në infrastrukturë mendoj që krijohet hapësira për të investuar edhe në autostradën e Dukagjinit”, thekson ministri Lekaj.
Ai tha se gjitha projektet rrugore parashihen të përfundojnë në vitin 2023.
