Aktuale
Fillojnë punimet për rrethrrotullimin në “udhëkryqin vdekjeprurës” në Banullë [video]
Udhëkryqi i Janjevës, në rrugën Prishtinë-Ferizaj, ka qenë vendi ku kanë gjetur vdekjen 22 persona pas vitit 1999. Një rrugë shumë e qarkullueshme, e pa definuar në udhëkryq ku automjetet kalojnë kryq e tërthor në intervale të shkurta kohore. Por, së paku 45 ditë pas 1 korrikut gjendja do të jetë më e mirë.
Ministria e Infrastrukturës së Kosovës ka ndarë rreth 400 mijë euro për të rregulluar rreth rrotullimin në këtë pozicion të rrugës. Edhe ministrit Lutfi Zharku iu desh të bënte sytë katër për të kaluar rrugën. Ai u shpreh optimist se ky rreth rrotullim do të përfundojë sipas planit.
“Sot me kryetarin Ahmeti jemi në rrugën nacionale Prishtinë-Ferizaj, në të cilën do të ndërtojmë rreth rrotullimin në fshatin Banullë apo siç quhet udhëkryqi i Janjevës. Do të kemi një rreth rrotullim, i cili do të ndërtohet sipas planit dinamik për 45 ditë pune”, tha Zharku, raporton Ndertimi.info.
Kur ministri Zharku u pyet nga Ndertimi.info se pse është pritur deri tash për të filluar punimet, kur dihet se shtohet fluksi i automjeteve në rrugë si pasojë e mërgimtarëve, ai tha se është projekt i këtij viti dhe është dashur të pritet projektimi.
“Ndihem jashtëzakonisht keq që mund të ketë pengesa, por qëllimi është më i madh për rregullim të këtij rrethrrotullimi”, u përgjigj Zharku për Ndertimi.info.
E kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se ky është një projekteve më të qëlluara për komunë që drejton.
“Fillimin e këtyre punimeve e vlerësoi si njërin nga projektet më të qëlluara, për arsye se ky vend ka qenë njëra ndër pikat e zeza, në të cilin janë shkaktuar dhjetëra aksidente me fatalitet”.
Ndërsa inxhinjeri i kompanisë që do të punojë, Liridon Sylejmani tregoi se si do të ndahen punët në pjesët e rrugës për të mos bllokuar qarkullimin.
“Njëherë do të rregullohet kanalizimi atmosferik, më pas do të hapen by-passet për qarkullim, e në fund do të bëhet rrethi, për të mos e bllokuar në asnjë moment rrugën”, tha Sylejmani.
Uran Haxha
You must be logged in to post a comment Login