Featured
Kukës-Morinë, dublimi i urave përfundon brenda vitit

Brenda këtij viti, aksi që lidh Kukësin me Morinën, pjesë e Rrugës së Kombit do të jetë i përfunduar me urat e dubluara dhe elementët e sigurisë rrugore.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro inspektuan në Kukës kantierin e hapur në një prej urave të cilat po dublohen.
Qendro sqaroi se tanimë janë programuar fondet dhe do të garantohet përmbyllja e dy kontratave të zvarritura prej vitesh që kanë të bëjnë me përfundimin e 7 urave. Sipas tij, mos kryerja e investimit në kohë dhe defektet që e kanë shoqëruar në fazën e zbatimit, kanë shkaktuar tashmë mosrakordim të trupit të rrugës me urat dhe veprat e artit janë në disnivel.
Për këtë shkak, ARRSH ka filluar procedurat për rakordim masash mbrojtëse dhe siguri rrugore në viaduktet e aksit Kukës- Morinë.
