Aktuale
Kosova vazhdon edhe për një vit projektin “Impuls” në kadastër

Një delegacion dy anëtarësh i Agjencisë Kadastrale të Kosovës i përbërë nga kryeshefi ekzekutiv, Murat Meha dhe udhëheqësi i Zyrës për koordinimin e projekteve, Muzafer Çaka ka qëndruar në një vizitë tre ditore në Zagreb të Kroacisë ku ka marrë pjesë në dy takime të ndryshme, respektivisht në takimin e Komitetit Drejtues të projektit regjional “Impuls” i cili konsiston me harmonizimin e të dhënave gjeohapësinore të shteteve të Ballkanit Perëndimor me ato të shteteve anëtare të BE-së, dhe në Kongresin e VI mbi Kadastrën, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Sa i përket projektit “Impuls”, në takimin e Komitetit Drejtues është vendosur dhe është nënshkruar për vazhdimin e projektit edhe për një vit, ndërsa qëllimi i projektit është harmonizimi i të dhënave hapësinore, avancimi i shpërndarjes së të dhënave gjeohapësinore mes institucioneve publike, krijimi i modeleve dhe marrëveshjeve për shkëmbimin e të dhënave si dhe krijimi i metodatave dhe ueb shërbimeve për të dhënat, të gjitha këto konform Direktivës Evropiane 2007/2 INSPIRE”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net. “Duhet cekur se të gjithë këto komponentë janë obliguese për secilin shtet anëtar të BE-së si dhe për shtete aspiruese për anëtarësim në BE, si që është Republika e Kosovës”.
Më tutje thuhet se në takim janë prezantuar projektet e ndërmarra nga AKK në këtë fushë, përfshi ueb shërbimet e krijuara, Gjeoportali shtetëror, pozicionimi satelitor i Kosovës, avancimi i regjistrit të të drejtave pronësore kah arkitektura e orientuar në shërbime, ngritja e kualitetit të të dhënave e ngjashëm.
Në takimin e dytë, Kongresi i VI për Kadastër, këtë vit i organizuar nga Shoqata Kroate e Gjeodetëve dhe me përkrahjen e Shoqatës Ndërkombëtare të Gjeodetëve (FIG), morën pjesë Drejtorët e autoriteteve për kadastër në shtete e Ballkanit Perëndimorë përfshi Republikën e Kosovës. Në takim u prezantuar të arriturat e shteteve në avancimin e administrimit të tokës dhe kadastrës si dhe u identifikuan hapat se nga duhet të shkojë kadastra në të ardhmen, si një nga regjistrat më të rëndësishme që një shtet mirëmban duke e ditur ndikimin që kadastra ka në zhvillimin ekonomik të një shteti në përgjithësi dhe ngritjen e mirëqenies ekonomike të familjeve në veçanti.
Në të dy këto takime delegacioni i AKK-së prezantoi të arriturat e saja në fushën e administrimit të tokës, mirëmbajtjen e kadastrës dhe regjistrave pronësore, infrastrukturën e të dhënave hapësinore, fusha këto ku AKK ka shënuar rezultate të mëdha dhe në rrafsh me shtetet e zhvilluara evropiane.
