Aktuale
Reagon Pal Lekaj për aktakuzën ndaj tij

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar për aktakuzën ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kohën sa ishte në krye të Komunës së Gjakovës.
Përmes një njoftimi për medie, ministri Lekaj i ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke thënë se gjithmonë ka vepruar në harmoni me ligjin.
Ai ka shtuar se pavarësisht secilit vendim që mund ta japin organet e drejtësisë, ai do e respëktojë, raporton Insajderi.
“Po lexoj në media që organet e drejtësisë paskan ngritur një aktakuzë për një çështje të para 10 viteve. Krejt çka mund të them tani për tani është se në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës. Ashtu siç kam qenë do të vazhdojë të jem në krye të detyrës, për të përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë jam i gatshëm ta respektojë. Por nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencës së presionit”, ka shkruar Lekaj.
Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lajmin për ngritje të aktakuzës e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurori special, Faik Halili, por që nuk ka pranuar të jep më shumë detaje.
Prokurori Halili, ka thënë se aktakuza ndaj Lekajt tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Ndryshe, Pal Lekaj, për dy mandate ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, nga viti 2007 e deri në vitin 2013, kur kishte humbur garën nga Mimoza Kusari – Lila.
Pas kësaj, Lekaj ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kishte ushtruar edhe postin e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Pas zgjedhjeve të fundit, ai ishte emëruar ministër i Infrastrukturës, në ekzekutivin kosovar, të cilin e udhëheq shefi i tij i partisë, Ramush Haradinaj.
