Aktuale
Reshitaj tregon se si do të zgjidhet problemi i ndërtimeve pa leje

Kaosit të ndërtimeve pa leje në gjitha komunat e Kosovës, por me theks të veçantë në Komunën e Prishtinës pritet t’i bëjë zgjidhje Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) Albena Reshitaj ka treguar se janë në pritje që të bëhet leximi i dytë në Kuvend i Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, i cili ligj pastaj do të implementohet, raporton Ndërtimi.info
Siç thotë Reshitaj ky ligj jep mundësin që të legalizohen një numër i madh i ndërtimeve pa leje si dhe jep mundësinë që të legalizohen ato ndërtesa të cilat janë jashtë planifikimeve urbane në vend.
“Jemi dëshmitar okular të asaj se çfarë ka ndodhur me ndërtimet në të gjitha vendet urbane , ekskluzivisht në Prishtinë. Me procedimin e draft Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje mendoj që ne jemi futur në një fazë tjetër dhe në një ndryshim konkret sa i përket trajtimit gjegjësisht planifikimit hapësinor apo planifikimit urban në këtë rast. Ne presim që ky ligj të implementohet, të futet në fuqi, presim leximin e dytë në Kuvend dhe pastaj jemi të gatshëm të fillojmë implementimin. Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje jep mundësi që të legalizohet një numër i madh i ndërtimeve të cilat janë ilegale dhe në anën tjetër jep mundësi që të trajtohen dhe të mos legalizohen ato ndërtesa të cilat janë jashtë planifikimeve urbane të vendit. Ky është një hap i rëndësishëm që ne e kemi marr si ministri dhe kjo do të ndikoj që edhe komunat të marrinë përgjegjësinë në bazë të kompetencave që kanë”, thotë Reshitaj.
Ministrja Reshitaj në konferencën për medie, ku para kamerave bënë edhe nënshkrimin e hartimit për krijimin e Hartave Zonale të gjithë Republikës së Kosovës ka thënë se Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje është përmirësuar shumë herë derisa ka arritur në fazën finale.
Ndërsa në pyetjen e Ndërtimi.info se kush e merr përgjegjësinë pas legalizimit të ndërtimeve, meqë përveç që ai objekt është pa leje mund të ketë edhe kualitetin e dobët të ndërtimit, zyrtari nga MMPH-së tha se aspekti i sigurisë është i definuar me ligj.
“Në aspektin e sigurisë është e definuar në ligj se si ka me u definu siguria. Për me iu dhënë një legalizim është kryesisht në kategorinë e dytë është një proces qysh duhet me dokument, argumentu edhe me marr dikush përgjegjësin për atë objekt”, tha ai.
