Arkitekturë
6-pikëshi nga Përparim Rama që e shpëton Prishtinën

Arkitekti prishtinas me famë botërore Përparim Rama ka shpalosur idenë e tij për të shpëtuar trafikun dhe funksionimin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.
Ideja e tij prek gjashtë pika, të cilat krijojnë një rreth që në fakt është unaza kryesore e brendshme e qytetit të Prishtinës.
Si pikë e parë ai e sheh zhvendosjen e Xhamisë Qëndrore, nga vendi ku është ndarë të bëhet pranë Postës së Madhe, tek zona ku sot është Agjencioni i Privatizimit, që lidhet edhe me historinë e qytetit dhe xhamitë tjera pranë.
Pesë pikat tjera janë zonat kyqe në të cilat ai parasheh të ketë thellime dhe parkingje nëntokësore teksa përpos qarkullimit mbi ato parkingje, të ketë edhe hapësira që mund të shfrytëzohen për administratë, afarizëm apo banim.
Këto pika do të jenë tek: Fontana në Ulpianë (ku edhe katet e para të soliterëve do të mund të shfrytëzoheshin për të lidhur mes vete; pika tjetër është tek rrethi i madh pranë Termokosit; rrethi tek Lakrishta; pas Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ku do të mund të vazhdohej platoja edhe pas pallatit dhe të krijohej një qendër qarkullimi; pika tjetër të jetë tek Cigllana (fabrika e tullave) me plan të njëjtë të parkingjeve nëntokë.
Rama ka thënë se Prishtina aktualisht është në një kaos urbanistik. Ai ka thënë se shumica e ndërtimeve në kryeqytet nuk u janë përmbajtur rregullave të arkitekturës dhe se nuk janë kontrolluar dhe ndalur këto ndërtime.
“Prishtina është kaos për momentin. Ndërtimet këtu po bëhen pa u kontrolluar. Organet kompetente nuk janë marrë me këto ndërtime dhe ligji nuk është respektuar fare”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk është ruajtur fare as Prishtina e vjetër.
“ Është betonuar thuajse çdo pjesë. Nuk ka pasur asnjë kujdes se ku po ndërtohet”.
Mirëpo, Rama thotë se me një punë dhe arkitekturë Prishtina mund të kthjellet dhe kanalizohet.
“ Nëse kish pas më shumë përkushtim kryeqyteti do të mund të ktheje në normale. Do të bëhej një kanalizim pozitiv i saj”, thotë ai.
