Aktuale
Gjykata e Apelit pa vendim që lejon qasjen në kontratën e autostradës “Ibrahim Rugova”

Pas tetë vjetësh Lëvizja “FOL” fitoi rastin ndaj Ministrisë së Infrastrukturës që të ketë qasje në kontratën e ndërtimit të autostradës “Morinë-Merdarë”, e njohur si “Ibrahim Rugova”, shkruan Ndërtimi.info.
Shkëdije Ahmeti
Edhe pse Gjykata Themelore e Prishtinës i dha të drejtën “FOL”-it, Ministria e Infrastrukturës hezitoi që të bëjë publike këtë kontratë. E gjitha që bëri ministria ishte që më 19 mars të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Por që deri më sot Gjykata e Apelit nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me ankesën e Ministrisë së Infrastrukturës, kështu ka bërë të ditur për Ndërtimi.info nëpërmjet postës elektronike zëdhënësi i Gjykatës së Apelit Arbër Jashari.
“Lënda ka ardhur në Gjykatën e Apelit më 22/03/2018. Nuk është vendosur akoma”, ka thënë Jashari
FOL po pret që edhe Gjykata e Apelit të vërtetojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe që një afat më të arsyeshëm të obligoj Ministrinë e Infrastrukturës të lejoj qasjen në dokumente publike.
“Mirëpo deri më tani nuk kemi ndonjë njoftim zyrtarë nga Gjykata e Apelit, mirëpo “FOL” pret që edhe kjo Gjykatë që të vërtetoj aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në një afat sa më të arsyeshëm dhe të obligoj Ministrinë e Infrastrukturës të lejoj qasjen në dokumente publike siç ishte edhe kërkesa e FOL tetë vite më parë”, tha Demolli-Nimani.
Qëllimi kryesor i ankesës së Ministrisë së Infrastrukturës kundrejt këtij Aktgjykimi sipas “FOL” është mbajtja e fshehtë e kësaj kontrate.
“FOL konsideron se pavarësisht të drejtës ligjore në ankesë që e ka Ministria e Infrastrukturës kundrejt këtij Aktgjykimi, qëllimi kryesor i kësaj ankese është mbajtja e fshehtë e kësaj kontrate si deri më tani. Këtë gjë e vërteton edhe fakti se njëra nga pikat e ankesës ka të bëj me ruajtjen e konfidencialitetit të Kontratës, përkundër që ajo është një Kontratë publike”, thekson Demolli-Nimani.
Mirëpo Demolli-Nimani nga “FOL” tha se një insistimi për të mbajtur të fshehtë kontratën për ndërtimin e Autostradës Morinë-Merdare tregon se Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për publikimin e kontratës së dosjes së tenderit për ndërtimin e kësaj autostrade.
“Kjo edhe njëherë tregon se Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme për publikimin e kontratës dhe dosjes së tenderit për ndërtimin e kësaj autostrade, gjë që shkel rëndë të drejtën e qytetarëve për të ditur se si janë shpenzuar paratë e tyre. “FOL” konsideron se tendenca për zvarritjen e këtij procesi nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht Qeverisë së Kosovës është goditje direket ndaj transparencës dhe llogaridhënies”, ka përfunduar ajo.
Derisa Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka bërë kërkesë që të kenë qasje të plotë në kontratën “Arbën Xhaferi” dhe 60 milionëshin që po kërkon “Bechtel&Enka”, kërkesë e njëjtë nuk është bërë edhe për kontratën e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare.
E kjo sipas deputetet së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami që është edhe anëtare në këtë komision nuk është bërë meqë ky projekt është i përfunduar.
“Ne nuk e kemi kërkuar se nuk është një projekt me të cilin ne si komision jemi marrë përshkak që është i përfunduar. Nuk më kujtohet nëse dikush nga anëtarët e komisionit ka kërkuar që ta ketë. Unë personalisht nuk jam në dijeni”, tha Bajrami për Ndërimi.info
Megjithatë, deputetja Bajrami referuar moslejimit të qasjes në kontratën “Arbën Xhaferi” po thotë se është për të ardhur keq qasja e institucioneve publike që po shkelin ligjet dhe nuk bëjnë publike dokumente të tilla.
Ministri Pal Lekaj pati premtuar para Medias Ndërtimi se do të zbatojë vendimin e gjykatës për lejim në qasje, por kjo gjë s’ka ndodhur dhe është dërguar në Apel.
