Aktuale
ZRRE jep leje për disa hidrocentrale dhe panele solare

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zhvilluar mbledhjen e parë për vitin 2018, pas funksionalizimit të tij me emërimin e dy anëtarëve të rinj nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas njoftimit për media në këtë mbledhje janë shqyrtuar njëzetedy (22) kërkesa për ndërtim të kapaciteteve të reja të bazuara në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Me këtë rast, janë lëshuar autorizimet finale për ndërtim e dy hidrocentraleve me një kapacitet instalues prej 8.3 MW, të cilat do të ndërtohen në Komunën e Dragashit dhe atë të Hanit të Elezit, dy projekteve me panele solare/Fotovoltaike që përbëjnë një kapacitet prej 6 MW, dhe dy nga era, me kapacitet të përbashkët prej 64.8 MW, për të cilat janë lëshuar autorizimet preliminare. 7 projekte janë të pajisura me autorizime finale, të cilave u është vazhduar afati i autorizimit për përfundimin e ndërtimit, dhe 7 projekteve të tjera u është shtyrë afati i vlefshmërisë së autorizimit preliminar, me qëllim të përmbushjes së kushteve për lëshimin e autorizimit final për ndërtim.
Në këtë mbledhje po ashtu është paraqitur Raporti vjetor i punës së ZRRE për vitin 2017, i cili do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim, si dhe janë shqyrtuar 20 apelime të vendimeve të ankesave të konsumatorëve të energjisë elektrike.
Pas shqyrtimit të kërkesës së operatorit KEK sh.a., për vazhdimin e licencës për prodhim të energjisë elektrike nga termocentrali “Kosova A” dhe analizimit të situatës me furnizim me energji elektrike në vend, Bordi ka vendosur që t’i vazhdohet licenca edhe për një vit.
ka shqyrtuar edhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e sektorit si dhe menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit.
