Connect with us

Featured

Turizmi shqiptar dhe ndërtimet me leje e pa leje

Published

on

Nuk do të zbuloj asgjë të re nëse konstatoi se veprimet tona me ndërtime pa leje dhe në të shumtën e rasteve edhe me leje, po i dëmtojnë me të madhe zonat turistike si në bregdetin shqiptar në Shqipëri ashtu edhe në zonat malore të Kosovës.

Në zonat e monumenteve të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, nëpër qytetet kryesore turistike, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar me mburrje po prezantohen në “guidat” dhe reklamat shumë të bukura turistike, edhe në mediat e shkruara dhe elektronike tona dhe ndërkombëtare. Organet shtetërore në princip janë për respektimin e ligjit, pasi ashtu “deklarohen”, por kur të vjen në pyetje sanksionimi i tyre ata nuk veprojnë, situata reale tregon këtë.

Me problematikën e ndërtimeve pa leje në zonat turistike të bregdetit shqiptar si dhe të atij kontinental në Kosovë, për fat të keq duhet të merremi edhe në të ardhmen, pasi sjelljet dhe veprimet tona janë ato që janë, nuk po sanksionohen. Si duket kjo ka qenë, është dhe do të jetë prezentë, edhe në të ardhmen nëse nuk ndërmerren veprime konkrete dhe efikase. Ndërtimet me leje ndërtimi, në shumicën rasteve nuk respektohen. Devijimet nga leja e ndërtimit duke ndërruar gabaritin, lartësinë, destinimin e objektit për përfitime materiale janë dukuri e rëndomtë te ne. Në opinion nuk përmenden dëmet të cilat shkaktohen nga këto ndërtime, posaçërisht në hapësirat të cilat nuk janë të parapara për ndërtime, pa respektuar principet e qëndrueshmërisë hapësinore. Kjo dukuri e shëmtuar do të ketë pasoja të rënda në proceset socio-demografike, mbrojtjen e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore në të gjitha zonat turistike.

Aspak nuk më befason se si është vepruar në njëzet vitet e demokracisë Shqiptare dhe në njëmbëdhjetë vitet e fundit në Kosovë. Kurrsesi nuk e kamë të qartë se pas fazës fillestare që rezultoi me ndryshimin e shumë pritur të sistemit politik dhe ekonomik në të dy shtetet, mos të ndërmarrët në disiplinimin e njërës nga fushat ma të rëndësishme për funksionimin e një shoqërie (shteti), atë të Planifikimit Hapësinor dhe Urban. Për një leje ndërtimi, në Kosovë mesatarisht nevojiten 320 ditë, bëhet e ditur këto ditë nga një raport i Bankës Botërore. Kjo është e pa tolerueshme, dikur e pa imagjinuar. Ky është rezultat i burokracisë së madhe të pushtetit lokal, me siguri ngjashëm është edhe në Shqipëri.

Në procesin e rindërtimit në Shqipëri dhe Kosovë pas shkatërrimeve të mëdha gjatë ndryshimeve radikale politike dhe ekonomike vitet 1991 dhe 1999, ka pasur shumë anomali teknike të cilat disi janë toleruar për një kohë të shkurtër, në emër të një qëllimi madhor, lirimi nga diktatura ma e egër komuniste në Evropë dhe nga regjimi kolonialist serb. Si duket këtu është fillimi masiv i ndërtimeve pa leje në zonat turistike si rezultat i një rebelimi që do të ketë pasoja të rënda për të gjithë ne.

Shkaktari kryesor i ndërtimeve pa leje në zonat turistike nuk janë kushtet e vështira të jetë për të siguruar “kulmin mbi kokë” por paraqitja e një kategorie njerëzish të ashtuquajtur “përfitues ndërtimi” të cilët për interes të tyre material, janë duke vepruar haptas, pasi askush nuk i pengon. Edhe ndërtimet me leje në zonat turistike janë një problem serioz me të cilin duhet me u ballafaquar kjo shoqëri. Kemi raste kur organet përgjegjëse kanë dhënë leje ndërtimi edhe duke abuzuar me hapësirat publike si janë rastet në Brezovicë të Kosovës dhe Ksamili të bregdetit Shqiptar.

 

Çka duhet ndërmarrë konkretisht:

• Të përpilohen strategji realiste turistike të zbatueshme me mbikëqyrje permanente institucionale, edhe me ndihmën ndërkombëtarëve që kanë eksperienca të gjata në fushën e turizmit kontinental dhe detar. Atë duhet bazuar në principin e ofertës e jo në atë të kërkesave të momentit, si janë komplekset e vilave private apo pushimoret e tipit të mbyllur, të cilat nuk ofrojnë punësim.

• Të përpilohen planet hapësinore dhe ato urbane të realizueshme, e jo të mbesin në raftet e institucioneve. Aty duhet të definohen të gjitha kapacitetet e vendosjes së turistëve, të banimit të kufizuar për të iu ikur keqpërdorimeve të mundshme si dhe të atyre përcjellëse si objektet tregtare, hoteliere, argëtuese, rekreative, kulturore etj.

• Të filloi procesi i vënies së rendit në ndërtimet e reja, kurse ndërtimet pa leje të trajtohen me kritere të veçanta,e në raste ekstreme edhe të rrënohen, posaçërisht në zonën e bregdetit, të cilën duhet shpallur me interes të veçantë për shtetin shqiptar.

• Të potencohen mundësit mjedisore dhe të trashëgimisë kulturore, qendrave të shumta arkeologjike me të cilat duhej të krenohemi, e jo t’i neglizhojmë ato. Çdo investim në këto komplekse shumëfish do të shpaguhen nga aspekti ekonomik e për aspektet tjera as që vlen të diskutohet.

• Detal të përcaktohen kriteret për këto zona, në bregdete, në pjesët kontinentale duke përfshirë edhe banjat pasi në këto territore ka ujëra të shumta shëruese dhe termale që deri me tani nuk janë shfrytëzuar posaçërisht në Shqipëri.

Qëllimi nuk duhet me qenë rrënimet masive të objekteve turistike, dhe të atyre të banimit në ato zona,që janë ndërtuar në vitet e fundit. Të gjithë të interesuarve duhet më iu mundësuar kushte të njëjta për ndërtime sipas standardeve dhe normave ligjërisht të përcaktuara, e këto do ti mundëson përpilimi i dokumenteve hapësinore dhe urban dhe monitorimi permanent gjegjësisht kontrolli shtetëror i domosdoshëm. Si shoqëri jemi duke e përkrahur ekonomin e mirëfilltë të tregut, dhe një jetë dinjitoze për të gjithë banorët e të dy shteteve tona. Kjo shumë lehtë mundet të arrihet me punë profesionale dhe vetëm me punë profesionale.

 

 

(Autori është arkitekt i pavarur) 

Ylber VOKSHI

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Featured

Kompanitë kosovare ftohen të respektojnë Ligjin gjerman të furnizimit

Published

on

Ligji Gjerman i Zinxhirit të Furnizimit (Lieferkettensorgfaltspflichtengesetz – LkSG) ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit më 1 janar 2024, duke zgjeruar fushëveprimin e tij për të mbuluar të gjitha kompanitë në Gjermani me mbi 1000 punonjës.

Zgjerimi do të shtojë rreth 2,000 kompani gjermane në kuadrin rregullator. Këto kompani do të aplikojnë kriteret që parashihen me ligj përgjatë gjithë zinxhirit të tyre të furnizimit dhe tek furnitorët jashtë Gjermanisë. Përfshirë këtu kompanitë nga Kosova që janë furnitorë të kompanive gjermane, apo që synojnë të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

Ligji për Zinxhirin e Furnizimit u miratua në vitin 2021 dhe zyrtarisht hyri në fuqi më 1 janar 2023, duke iu kërkuar kompanive gjermane të plotësojnë kritere për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe çështjet mjedisore në zinxhirët e tyre të furnizimit global.

Ligji implementohet në tri faza: Në fazën e parë, ligji gjerman u aplikua për kompanitë me mbi 3000 punonjës në Gjermani. Përafërsisht 900 kompani të mëdha gjermane u detyruan ta zbatojnë ligjin.

Në vitin e parë të zbatimit, Zyra Federale për Çështjet Ekonomike dhe Kontrollin e Eksportit (BAFA) ishte përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e ligjit. BAFA kreu 486 inspektime të kompanive të mëdha për të vlerësuar pajtueshmërinë. Vlerësimi i përgjithshëm i BAFA ishte pozitiv, duke gjetur se kompanitë ishin përgjithësisht të suksesshme në krijimin e sistemeve dhe proceseve të nevojshme për të përmbushur kërkesat e Ligjit në fazën e parë.

Megjithatë, zgjerimi i zbatueshmërisë së Ligjit Gjerman të Zinxhirit të Furnizimit në ndërmarrjet e  mesme pritet të paraqesë më shumë sfida.

Kompanitë kosovare që nuk i zbatojnë kushtet e parapara me këtë ligj, nuk do të mund të vazhdojnë apo fillojnë eksportin në Gjermani.

Continue Reading

Aktuale

‘Autostrada Hangar’ do të hapë dyert për publikun më 5 Mars 2022

Published

on

Autostrada Hangar synon të gjenerojë bashkëjetesë mes komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip dhe do të përdoret veçanërisht për të plotësuar nevojën urgjente të një edukimi joformal dhe programeve të ndërtimit të aftësive në mënyrë që të fuqizojë të rinjtë në Kosovë dhe rajon.

“Edhe pse hapësira jonë u përdor si një nga ambientet kryesore të edicionit të tretë në 2021, ku patëm një vit mjaft të suksesshëm me ekspozitën tonë ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, më 5 mars ajo do të jetë gati të hapë dyert e saj me një dizajn i ri dhe një program vjetor.

Deri më tani, ne kemi qenë të përkushtuar për të institucionalizuar “Autostrada Hangar” si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren përmes krijimit të një programi publik vjetor bazuar në nevojat e komuniteteve dhe partnerëve duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes, duke e bërë programin të hapur për komunitete të ndryshme dhe më shumë. ekologjikisht të qëndrueshme”, shkruan në njoftim./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve shpallë zgjedhjet për kryetar

Published

on

Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, njofton se duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-043, për Lirinë e Asocimit ne Organizata Joqeveritare dhe Nenit 27, të Statutit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, të vitit 2020, shpallë Zgjedhjet e rregullta për Kryetarin e AAK-së

Kuvendi zgjedhor i Asociacioni i Arkitektëve kosovar, do të mbahet të mërkurën, më 30.03.2022 nga ora 17:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës – Prishtinë.

Ftohen, të gjithë anëtarët e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor, dhe në frymën e konkurrencës së lirë dhe kandidimit, të shprehin vullnetin e tyre për tu kandiduar për pozitën e kryetarit të a-a-k, duke u mbështetur në nenin 33, të statutit./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Trending