Aktuale
Një milion euro për objekte të shkollave në Pejë

Komuna e Pejës për sivjet ka planifikuar të investojë rreth 950 mijë euro nga buxheti i saj për përmirësimin e kushteve të mësimit dhe rritjen e hapësirave arsimore.
Ndër projekte janë ndërtimi dhe rinovimi i shkollave, palestrave sportive të shkollave dhe çerdheve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, tregon se si vjet do të përfundojë ndërtimi i shkollë së muzikës, e cila sipas tij do të hapet në shtator.
Për fazën e dytë përfunduese, janë të alokuara 150 mijë euro.
Për vitin e ri shkollor do të jetë i gatshëm edhe aneksi i ri i SHF “7 Shtatori” në fshatin Vitomiricë. Me këtë aneks, sipas drejtorit të Arsimit do të kompletohet kjo shkollë. “Vjet e kemi ndërtuar aneksin e ri, i cili lëshohet në funksion nga shtatori. Dhe do të ndërhyhet edhe në objektin ekzistues”, thotë Avdimetaj.
Në këtë fshat është planifikuar edhe ndërtimi i një palestre sportive për të cilën janë dhënë 150 mijë euro, si edhe një çerdhe me kapacitet për 120 fëmijë. Për shtator nuk mund të llogaritin në objektin e ri nxënësit e shkollës së mesme të arteve “Odhise Paskali”, themeli i të cilës është hapur dhe ndërtuar vjet kapur me objektin tjetër ekzistues të kësaj shkolle.
“Këtë vit fillon ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Arteve dhe ky objekt do të kryhet mot”, thotë Avdimetaj. Për ndërtimin e këtij objekti janë 150 mijë euro. Ndër projektet më të kushtueshme që janë planifikuar për këtë vit është edhe ndërtimi i shkollës së re në fshatin Leshan, për të cilën janë planifikuar 200 mijë euro.
Kurse për rinovimin e shkollave sipas tij, janë planifikuar 90 mijë euro dhe 40 mijë euro për rinovimin e çerdhes së vjetër të qytetit, si edhe 10 mijë euro për ndërtimin e këndeve të lojërave në çerdhet e qytetit. Kurse, pas kërkesave të përsëritura vit pas viti nga drejtuesit e shkollës, më në fund këtë vit pritet ndërrimi i kulmit të SHF “Xhemajl Kada”, në Pejë.
