Featured
Punimet që s’përfunduan që dy vjet në shesh e Klinës, kryetari premton se përfundojnë në korrik

Në qershor të vitit 2016 ka filluar shtrimi i sheshit të Klinës me kubëza dhe punimet ende nuk kanë përfunduar. Madje, këto punime pritet të zgjasin deri në korrik të këtij viti.
Një pjesë e sheshit tashmë veç ka përfunduar, por një pjesë e madhe ka mbetur ende pa u rregulluar e që banorëve që kalojnë në atë pjesë po u sjellë telashe.
Qytetari Atdhetar Maznikolli, i cili kalon çdo ditë në këtë rrugë u shpreh i zhgënjyer që punimet po zgjasin kaq shumë.
“Kjo rrugë e pashtruar po na pengon shumë, para 10 minutave e pastrova kerrin njëherë me i ra kësaj rruge apet me baltë bëhet. Normal amortizimi i kerrit dhe me bë me ra 10 herë veç duhet me dërgua në servis kerrin, shumë e dëmtuar është. Ishalla diçka kryetari i Komunës së Klinës bën se kështu tmerr është, nuk ia vlen as me i ra kësaj rruge dhe as me jetuar në këtë vend”, ka thënë ai për KosovaPress.
Edhe banori tjetër i Klinës, Arianit Fazliu thotë se punimet janë tej zgjatur dhe kalimi në atë rrugë është bërë shumë i vështirë.
“Po na e vështirëson shumë se ish kanë më mirë me punua ma shpejt në këtë anë ish kanë shumë më mirë. Këndej është qelë, por kur do të përfundoj krejt nuk e di”, u shpreh ai.
Gjithashtu edhe Vlorian Kastrati, thotë se kalimi në këtë pjesë të rrugës po iu shkakton shumë vështirësi, madje ai thotë se gjatë ditëve të javës kur qarkullimi është më i dendur krijohen edhe kolona të gjata.
“Pengon shumë, zakonisht ditën dhe ditëve të javës kur janë nxënësit në atë kohë shumë pengon. Ishalla po e përfundojnë më shpejtë”, tha ai.
Pluhuri dhe balta që po krijohet nga automjetet që kalojnë në atë pjesë po iu pengon edhe bizneseve që gjenden në atë rrugë, e të cilët duke mos dashur të prononcohen para kamerës i kanë thënë KosovaPress-it se punimet po iu shkaktojnë probleme në punën e tyre.
Projekti i shtrimit të sheshit me kubëza Komunës së Klinës do t’i kushtojë 1.5 milion euro, ku kjo komunë në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2016-2018, ka parashikuar shtrimin e sheshit të Klinës me kubëza dhe ndalimin e qarkullimit me makina nëpër të.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj përmes telefonit i ka thënë KosovaPress-it se për shkak të kushteve atmosferike punimet janë ndërpretë. Ndërsa ka thënë se deri më 1 korrik shtrimi i sheshit me kubëza do të përfundojë.
“Punimet tash në këtë kohë janë zhvilluar disa punime edhe këtë vit, por për shkak të motit, ngricave duhet të ndërprehet se janë rregullat. Ne e kemi bërë një takim me kompaninë e cila është tenderuese dhe mendojmë që më datën 1 korrik duhet të përfundoj ndërtimi i sheshit”, ka thënë ai për KosovaPress.
Ndërsa, ai ka thënë se është kundër ndalimit të qarkullimit të automjeteve nëpër shesh dhe se do të lejohet qarkullimi i veturave të vogla nëpër atë rrugë.
