Aktuale
Më në fund, “Shkallët e Dragodanit” fillojnë të rregullohen [video]

Ata që kanë kaluar nëpër shkallët e Arbërisë, që njihen si “Shkallët e Dragodanit” për vite me radhë janë përballur me vështirësi, si pasojë e dëmtimit të tyre. Mirëpo, gjendja e tyre do të ndryshojë, pasi sot filloi puna për rivitalizimin e këtyre shkallëve.
Kushtrim Hajzeri
Bora nuk i ndaloi punëtorët e kompanisë fituese të projektit, “NBT-ING” t’i kryejnë punët e para që shkallëve të Arbërisë t’i japin krejtësisht një pamje tjetër, raporton Ndertimi.info.
Projekti për rivitalizimin e 276 shkallëve do t’i kushtojë Komunës së Prishtinës mbi 400 mijë euro dhe pritet që të përfundojë brenda 120 ditëve pune, shkruan Ndërtimi.info.
Për të parë fillimin e punës doli i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tregoi detaje të këtij projekti.
“Sot jam shumë i gëzuar sepse që një kohë ka qenë kërkesë e banorëve dhe gjithë atyre që i kanë frekuentuar këto shkallë ikonike të Prishtinës, sepse janë pjesë e pandashme të Prishtinës. Është projekt me gjatësi 300 metra, me gjerësi 2 metra e gjysmë. Ka qenë një konkurs që ka fituar një projekt ideor për renovimin total që do të kushtojë mbi 400 mijë euro dhe me 120 ditë pune. Edhe njëherë nuk e di se a ka pas më shumë kërkesë për diçka të tillë, për këto shkallë”, tha ai.
Ahmeti, theksoi se këto shkallë nuk janë rinovuar deri tani për shkak të kostos.
Përveç rregullimin e shkallëve, projekti parasheh që të ndërtohet edhe një mbikalim, e që ka mundësi të ndërtohet edhe një nënkalim.
Këtë e bëri të ditur drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti.
“Do të ketë rishikim të projektit edhe sa i përket mbikalimit. Është i paraparë mbikalimi, por jemi duke e analizuar se a do të ketë edhe një nënkalim, për shkak të unazës, sepse këtu kalon unaza”, u shpreh ai.
Me këtë projekt përreth shkallëve do të ketë hapësira të gjelbëra dhe disa ulëse.
