Aktuale
“Hapësirat e Braktisura të Kosovës”, që s’iu bie pas kush dhe janë ftesë për abuzim

Cultural Heritage without Borders (Trashëgimia Kulturore pa kufij) – CHwB në Kosovë ka organizuar një debat i cili si duket nuk pritej të ishte i tillë. Edhe pse ishin bërë gati afro 70 karrige në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, audienca ishte diku rreth 120-150 persona.
Debati që tërhoqi kaq shumë audiencë kishte temë “Hapësirat e Braktisura të Kosovës”. Ishte Sali Shoshi, udhëheqës i CHwB-së, që foli i pari ku tregoi se gjatë identifikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, kanë gjetur edhe objektet që janë në mbrojtje dhe janë të braktisura, raporton Ndertimi.info.
Sipas tij, ka dy arsye pse një gjë e tillë është PARADOKS. “Janë 262 objekte të identifikuara si të braktisura. Ato janë pjesë të historisë dhe memorjes kolektive. Ne jemi të lidhur me to, ku jetojmë në komunitet, nëse I humbim ato, atëherë humb edhe një pjesë e historisë. E dyta arsye është aspekti ekonomik. Për këto ndërtesa dikush dikur ka punuar e ka humbur energji dhe dikush e ka projektu. Kjo energji ka me humb”, tha Shoshi.
Pasi që përmendi disa storje suksesi në aktivizimin e hapësirave të braktisura, tregoi edhe për një botim e një libri për këto hapësira të braktisura.
“Libri i pasqyron 50 tregime për 50 monumete të harruara të Kosovës. Ky libër është që të tregojë pjesën e trishtë të Kosovës, pasi objektet janë të bukura, por janë të trishtuara dhe nuk ka jetë në ato”, shtoi Shoshi.
Debati i moderuar nga profesoresha dhe arkitektja Eliza Hoxha, filloi me Vjollca Aliun, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, e cila tha shkurt se ata kanë marrë disa masa për këto ndërtesa, por nuk është arritur qëllimi.
Në anën tjetër, publicisti dhe studiuesi Shkelzen Gashi filloi fjalën e tij me frikën për rrëzimin e ish-Konsullatës Serbe në Kosovë, për të cilën kishte një arsye.
“U tuta shumë që po e rrëzojnë krejt Konsullatën Serbe, që shumë i thojnë vetëm Konsullatë Austriake apo Ruse. Shteti i Kosovës duhet me marrë dhe me e ndreq edhe me i thënë Serbisë, ‘ja ku e ke gati konsullatën që e ke pasë, tash mundesh me bë ambasadë kur e njeh shtetin e Kosovës’”, tha Gashi. Ai ka studiuar librat e historisë e si tregohet historia, ku ka gjetje edhe për trashëgiminë kulturore.
“Fëmijëve nuk i mësojnë për trashëgimin kulturore, si për trashëgimin mesjetare serbe, siç janë manastiret ortodokse. Jam i bindur që nëse ja mësojnë, mësuesit ju thonë se ato kanë qenë shqiptare më parë, e gjëra të ngjashme. Nuk mësojnë për trashëgimin kulturore për Periudhën e pushtimit osman. Te ne nuk mësohet as objektet e trashëgimisë kultuore të socializmit jugosllav”, tha Gashi, e përmendi edhe hotelet e dëmtuara dhe të ndërrimit të fytyrës dhe origjinalitetit të tyre sikur “Sqiss Diamond”, ndërtimet pranë hotelit “Pashtrik”-u në Gjakovë dhe të tjera.
E arkitekti Arbër Sadiki e tregoi një gjendje e cila bëri që publiku më larg arkitekturës të bënte “wow”, e ata që ishin të ulnin kokën me pohim.
“Më tragjike është se as në Fakultetin e Arkitekturës nuk mësohet asgjë për modernizmin jugosllav”, tha Sadiki. Sipas tij, nuk po ka respekt për objektet të asnjë periudhe, e arsyeja e braktisjes që i tha Sadiki bënin që përsëri salla të pohonte me kokë në heshtje.
“Një hapësirë braktiset për të njëjtat arsye që ndërtohet. Kur nevoja bjen, atëherë ajo braktiset”, shtoi arkitekti Sadiki, e aktivizimin e tyre e sheh në forma të ndryshme, ku përmendi idenë e viteve të ’60-a, ku ishte propozuar që Hamami i Prizrenit të shndërrohet në galeri.
Arber Sadiki preku disa herë në pika të ndjehshme, sikur ishte aryseja që duhet mësuar “Modernizmi Jugosllav”, pasi “Gjërat që nuk njihen nuk mund të duhen, por është paradoks si urrehen”.
Ndërsa, sociologia Linda Gusia tha që objektet janë ato që pushtetin e bëjnë të lexueshëm, e hapësirat e tilla të braktisura bëjnë ftesë për abuzim të mëtutjeshëm.
Pjesë e debatit ishte edhe drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha që interesi ndaj trashëgimisë kulturore është i vogël edhe në institucione, dhe ka konsideruar paradoks mos shfrytëzimin e hapësirave të braktisura.
Debati vazhdoi edhe me pjesëmarrës, ku pak prej tyre prekën temën për të cilën ishin lodhur, por derdhën mendimet e tyre në përgjithësi për hapësirat dhe ndërtimet. Ajo që u vërejt ishte komenti i një studenteje e cila kërkoi që të bëhej një institut në Fakultetin e Arkitekturës dhe punimet e studentët të arkitekturës, edhe për hapësirat publike, t’i hyjnë në punë edhe komunave të Kosovës.
